Transmetuar më 12-02-2017, 09:30

Kryeministri grek Aleksis Tsipras akuzon Fondin Monetar Ndërkombëtar se është duke u sjellë në mënyrë të pasinqertë me partnerët. Për më tepër, Tsipras e akuzoi FMN se është një vegël që gjithmonë i bindet Ministrit gjerman të Financave Volgang Shojble. Tsipras tha se FMN vepron si një frikacak përballë aktorëve të mëdhenj të ekonomisë botërore

“Ata që pretendojnë se rishikimi i marrëveshjes së shpëtimit do të dështojë do të mbeten të zhgënjyer. Ajo marrëveshje do të plotësohet. Ne do e pranojmë marrëveshjen, por nuk do të pranojmë masa të palogjikshme. Sa i përket FMN-së, më duhet të them se ky institucion nuk flet të vërtetën me partnerët dhe nuk i shikon këta të fundit në sy. Është koha ta themi hapur, pasi Fondi Monetar Ndërkombëtar asnjëherë nuk mban një qëndrim të kundërt me Ministrin gjerman të Financave, gjë që sjell marrjen e vendimeve absurde, imagjinare dhe të parëndësishme, të cilat e rëndojnë edhe më tepër gjendjen e Greqisë duke mos prodhuar zgjidhje”.

Aleksis Tsipras paralajmëroi FMN se qeveria që ai drejton nuk ka ndërmend të pranojë kushte të palogjikshme, ndonëse është pro respektimit të marrëveshjeve.

“Ne do ta respektojmë marrëveshjen e shpëtimit, por nuk do të pranojmë masa ekonomike të palogjikshme. Tsipras kërkoi ndër të tjera më shumë durim dhe një qëndrim dinjitoz të partnerëve europianë ndaj Greqisë”, – tha KM grek në një fjalim të mbajtur orët e fundit.

Ai siguroi se Athina do të japë një rishikim pozitiv të marrëveshjes së shpëtimit, duke shtuar se qeveria e tij nuk do të pranojë kërkesa të palogjikshme. Kurse siguroi se populli grek do arrijë ta kalojë edhe këtë moment të vështirë që po kalon vendi, duke pranuar se “rruga e daljes nga kriza do të jetë e mundimshme”.