Transmetuar më 11-02-2017, 09:03

Përcaktohet numri i vendeve vakant në administratën publike. Janë në total 1082 vende bosh për punonjës në shërbimin civil në 17 ministri dhe drejtoritë në varësi të tyre. Janë katër kategori kryesore për pranimin  punonjësve të rinj në administratën publike përmes aplikimit në Drejtorinë e Administratës Publike. Aplikantët duhet të kenë përfunduar studimet në 22 profesione. Sipas “Gazetës Shqiptare”, vendet vakante, kriteret dhe profesionet që kërkohen janë përcaktuar me një vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave i cili hyn në fuqi nga sot.

Vendet vakante

Qeveria ka miratuar vendimin që përcakton se numri i vendeve vakante të planifikuara për rekrutim gjatë vitit 2017 në institucionet e administratës shtetërore, pjesë të shërbimit civil, do të jetë gjithsej 1082. Ndarja do të bëhet sipas kategorive: Për Trupën e nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues10, për kategorinë e mesme drejtuese 85, për kategorinë e ulët drejtuese 312 dhe për kategorinë ekzekutive 675 vende. Vendimi ka marrë tashmë fuqi ligjore dhe është botuar në Fletoren Zyrtare, së bashku me listën e institucioneve, në të cilat do të hapen vendet e punës.

Profesionet

Personat që kanë përfunduar studimet për shkenca juridike dhe kompjuterike, ekonomik ose shkenca ekonomike dhe juridike, shkenca shoqërore dhe sociale, histori-filologji, veterinari e agronomi mund të aplikojnë për t’u bërë pjesë e shërbimit civil. Për tu bërë pjesë e administratës publike mund të aplikojnë edhe personat që kanë përfunduar studimet për shkenca biologjike dhe të ngjashme me to, kimi, shkenca mjedisore ose të tjera të përshtatshme, shkenca inxhinierike, arkitekturë dhe arkeologji e restaurime, pasi edhe për këto profesione ka vende bosh.

Në vendimin e qeverisë është përcaktuar se kërkohen profesionistë edhe në fushën e arteve të bukura, gjeodezi, shkenca ekzakte dhe shkenca edukimi, madje edhe për mësuesi, arsim i lartë ushtarak ose policor. Në vendim për të përcaktuar ngarkohet Departamenti i Administratës Publike, në cilësinë e njësisë përgjegjëse, për zbatimin e këtij vendimi.

Si të bëhem pjesë e shërbimit civil?

Aplikimet për vendet e lira në shërbimin civil, për pozicionet e lira në institucionet e administratës shtetërore, pra në kryeministri, ministritë e linjës dhe institucionet e tyre të varësisë, bëhen online nëpërmjet faqes zyrtare të Departamentit të Administratës Publike www.dap.gov.al. Për të aplikuar, duhet të krijosh një llogari personale dhe të ngarkosh të gjithë dokumentacionin që kërkohet. http:/hrm.gov.al/Regjistrohu.aspx.

Çfarë dokumentacioni më duhet për të aplikuar?

Nëse nuk ke statusin e nëpunësit civil dhe po aplikon për tu bërë pjesë e shërbimit civil, të duhen dokumentet e mëposhtme:

1. Jetëshkrim i plotësuar në përputhje me dokumentin tip që e gjeni në linkun: http://ëëë.dap.gov.al/legjislacioni.udhëzimemanuale.

2. Fotokopje të diplomës (përfshirë edhe diplomën Bachelor). Për diplomat e marra jashtë Republikës së Shqipërisë të përcillet njehsimi nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.

3. Fotokopje e librezës së punës 9të gjitha faqet që vërtetojnë eksperiencën në punë).

4. Fotokopje të letërnjoftimit.

5. Vërtetim të gjendjes shëndetësore.

6. Vetëdeklarim të gjendjes gjyqësore.

7. Çdo dokumentacion tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë, vlerësimet pozitive apo të tjera të [përmendura në jetëshkrimin tuaj.

Profesionet

Shkenca juridike, shkenca kompjuterike, audit i brendshëm, shkenca ekonomike, shkenca ekonomike/juridike, shkenca shoqërore, shkenca sociale, histori-filologji, veterinari, agronomi, shkenca biologjike të ngjashme me to, kimi, shkenca mjedisore ose të tjera të përshtatshme, shkenca inxhinierike, arkitekturë, arkeologji dhe restaurime, artet e bukura, gjeodezi, shkenca ekzakte, shkenca edukuese, mësuesi, arsim i lartë ushtarak/policor, arsim i lartë.