Transmetuar më 10-02-2017, 13:04

Tiranë, 10 shkurt 2017, NOA.al- Biblioteka nr. 9 në Tiranë, merr emrin Musine Kokalari, me rastin e 100 vjetori të lindjes së shkrimtares së njohur.

I pranishëm në ceremoninë e organizuar ditën e sotme ishte kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i shoqëruar nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, si dhe dy anëtarët e Autoritetit të Hapjes së Dosjeve, Daut Gumeni dhe Altin Hoxha.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Veliaj tha se është e nevojshme që ngjarje të tilla si ajo e Musine Kokalarit të mos harrohen, pasi në të kundërt shoqëria do të përsërisë sërish gabimet e së shkuarës.

Ai shprehu besimin se shoqëria shqiptare do të arrijë të kuptojë se çfarë ka ndodhur realisht në të shkuarën e saj, të reflektojë mbi të me qëllim për të qenë të dobishëm për të ardhmen.

Veliaj tha se Musine Kokalari është simbol jo vetëm i letërsisë, por edhe i rezistencës, një shembull se e drejta në fund triumfon gjithmonë.

“Jam sot shumë i lumtur që këtë bibliotekë ia dedikojmë Musine Kokalarit, një simbol i letërsisë, një simbol i shoqërisë së hapur, një mendje e hapur edhe një simbol i një rezistence që provon se herët a vonë mund t’i kesh njerëzit kundra për disa kohë, ndoshta dhe për shumicën e kohës, në rastin e Musinesë edhe për gjithë jetën e saj, por vjen një moment kur e drejta triumfon dhe kur e mira e mund të keqen”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku u shpreh se vepra që la pas Musine Kokalari është një shembull frymëzimi për brezin e ri për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë e më solidare.

Ai shtoi se “shoqëria nuk bëhet më e mirë nëse inkurajojmë harresën, se një shoqëri që harron ka gjasa t’i përsërisë gabimet”.

Veliaj deklaroi se është shumë e rëndësishme që shoqëria të ketë një moment reflektimi mbi këtë histori.

“Arsyeja pse jam krenar që kemi mbërritur në këtë pikë është se kuptova gjatë kohës që ishim në ministri, se kjo puna e dosjeve ishte një “plagë e pashëruar” për shoqërinë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku u shpreh se Musine Kokalari ka pasur kontributin kryesor për të artikuluar se çfarë do të thotë një e majtë progresiste shqiptare.

Veliaj deklaroi se asnjëherë nuk është vonë për të hapur dosjet dhe për të kuptuar se çfarë ka ndodhur.

“Një nga momentet që jam ndierë më mirë ishte dita e fundit në ministri, ku në parlament hyri ligji i dosjeve, i cili më dukej një mision i pamundur. Shumë të tjerë thoshin, “o djalë ti shumë mirë që i hyn kësaj pune, e kanë provuar aq të tjerë përpara teje, nuk ke për t’ia dalë, se me atë mentalitet që ka parlamenti ynë”. Megjithatë me një lloj insistimi arritëm të vijmë në një pikë ku brenda një viti nga kalimi i ligjit, sot po hapen gradualisht dosjet”, tha ai.

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro e vlerësoi Musine Kokalarin si simbolin e gruas intelektuale shqiptare dhe i rezistencës që vjen përmes forcës së mendjes dhe jo dhunës.