Durrës, 10 shkurt 2017, NOA.al- Rikthehet puna normale në maternitetit e spitalit rajonal të Durrësit pas avarisë së ndodhur disa ditë më parë në sistemin elektrik të këtij shërbimi.
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i shoqëruar edhe nga kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, inspektuan ditën e djeshme mjediset e maternitetit të qytetit bregdetar, si dhe u takuan me mjekët, infermierët dhe punonjësit shëndetësorë që punojnë aty.
“Kemi patur një situatë jo normale në maternitetin e Durrësit para 10 ditësh si pasojë e një avarie në sistemin elektrik, por për fat të mirë, që të nesërmen u rikthyem në rifunksionim, në shërbim, dhe tashmë, mbas 10 ditësh, i gjithë shërbimi është rikthyer në normalitet. Edhe sallat e operacionit së shpejti do të jenë në funksionim”, u shpreh Beqaj.
Ministri falënderoi mjekët dhe infermierët për ndërhyrjen në kohë, natën kur ndodhi avaria në sistemin elektrik, duke bërë të mundur evitimin e problemeve qoftë për nënat, qoftë edhe për bebet që kishin lindur.
Nga ana e tij, kryebashkiaku i Durrësit, Dako, u shpreh se institucioni që ai drejton është i gatshëm për të bashkëpunuar në çdo rast me Ministrinë e Shëndetësisë për zgjidhjen e çfarëdolloj avarie në mënyrë që qytetari të marr një shërbim sa më të mirë.