Transmetuar më 09-02-2017, 13:54

Tiranë, 9 shkurt 2017, NOA.al- Tirana do të jetë i pari qytet në Ballkan që do të ketë një plan veprimi për qytetin e gjelbër.

Kështu tha sot kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, gjatë prezantimit të metodologjisë dhe strategjisë për hartimin e planit për “Tiranën e Gjelbër”, një projekt ky i bashkisë në bashkëpunim me BERZH.

“Ne kemi marrë një vendim shumë të rëndësishëm që do të doja ta zbërtheja në projekte të implementueshm e për të mbjellë 2 milionë pemë deri në vitin 2030 në Tiranë. Ne jo vetëm kemi buxhetuar vetë, pasi është hera e parë që një bashki heq një shumë të konsiderueshme mënjanë vetëm për të nisur një projekt të madh gjelbërimi. Vetëm dje ne kemi çuar 2000 kërkesa në të gjithë bizneset kryesore në Tiranë që të sponsorizojnë segmente të caktuara të pyllit orbital dhe ambicia jonë është që në 14-15 vitet e ardhshme, 2 milionë pemë të jenë kthyer në një fashë oksigjenuese për qytetin e Tiranës”, tha ai.

Kreu i bashkisë deklaroi se janë marrë disa vendime të rëndësishme për kufizimin e ndërtimeve në Tiranë.

Ai tha se është marrë një vendim politik, pavarësisht presionit për ndërtime në Tiranë, vendimi është që qyteti deri në 2030 do të rritet me 1.5 milionë banorë, do të thotë që edhe kontraktorëve do u kërkohet për projekte të këtyre përmasave dhe jo për gjëra që për të justifikuar disa veprime të gabuara.

Kryetari i bashkisë deklaroi se bashkia nuk do të vazhdojë të ndërtojë unaza vetëm për automjetet private, por edhe unaza të dedikuara për transportin publik apo korsi për biçikleta.

“Ne tashmë kemi marrë një vendim, nuk do vazhdojmë më të ndërtojmë apo projektojmë unaza vetëm për makinat. Ne kemi marrë një vendim ku Unaza e parë, e tretë dhe e pestë, pra Unaza e Vogël, kjo që kemi hapur së fundmi, Unaza e Mesme, pra e treta, ajo që është unaza klasike, autobusi i unazës apo e pesta, ajo që po ndërtohet nga Farka në Dajt, pjesa tek Kristal që po mbaron, janë për makinat. Ndërkohë vendimi politik që kemi marrë është që Unaza e dytë dhe e katërt nuk do jenë për makinat, por do të jenë për transport publik , për biçikletat dhe për këmbësorët”, tha ai.

Kreu i bashkisë u shpreh se synimi është për të rritur numrin e qytetarëve të cilët përdorin transportin publik.

Kryebashkiaku deklaroi se dhe projektet e bashkisë për ndërtimin e terminaleve kanë ndikuar në uljen nivelit të ndotjes.

“Jemi sot në një situatë ku politikat po japin efekt, dhe po kemi më shumë njerëz mbi 250000 njerëz që po përdorin transportin publik, krahasuar me 170000 që po përdorin transportin privat, trendi është ky ne do donim që ta fuqizonim këtë trend, edhe të arrinim në një kohë edhe më të shkurtër rezultatet që ne presim nga politikat tona mjedisore”, tha ai.

Veliaj deklaroi se ndryshe nga situata financiare e vështirë që gjendjen Bashkia e Tiranës dy vite më parë, tashmë financat janë të shëndosha duke lejuar edhe marrjen e kredive të cilat do të rrisin dhe më tej investimet për qytetarët.

“Bashkia është në një situatë të shëndoshë financiare dhe mund të aksesojë për kredi. Do të jem shumë i hapur për të bërë një seleksionim të prioriteteve, se cilat janë projektet më jetike që t’i çojmë së pari për financim. Sigurisht kjo vjen në një kontekst kur kam kërkuar ndihmën e BERZH. Unë ia kam thënë edhe koleges që drejton shoqatën më të vogël të bashkive të krahut tjetër politik, që pavarësisht refuzimit për t’i bashkuar bashkitë në një shoqatë të vetme, unë prapë insistoj që më opozitë bën Bashkia e Tiranës me qeverinë tonë, apo me këdo qeveri, se sa çdo qytet tjetër le të themi i përmasave mesatare”, tha ai.

Kreu i bashkisë komentoi dhe draft-projektligjin për financat vendore kërkoi heqjen e kufizimeve për njësitë vendore në gjetjen e financimeve, ku ato njësi të cilat performojnë më mirë, të kenë mundësi që të gjejnë fonde për të rritur numrin investimeve.

“Ne besojmë që bashkitë që janë të shëndosha nuk duhet të penalizohen prej faktit që qeveria ka një tavan borxhi. Brenda tavanit të borxhit, bashkitë vetë duhet të ketë një minitavan të tyre për të asistuar financat. Për disa bashki që ecin me marsh të parë nuk do të duhet që të penalizohen ata që ecin me marsh të pestë. Ne na duhet kjo liri që të kreditohemi dhe që qytetarët tanë të marrin në një kohë më të shpejtë të mirat materiale, që me formën tradicionale, të shpenzimit vetëm në bazë të taksave mund të na duhen disa vite”, tha Veliaj