Transmetuar më 09-02-2017, 12:30

Lushnje, 9 shkurt 2017, NOA.al- Kryeministri Edi Rama inspektoi investimet në Divjakë e Lushnje, ku tha se janë më shumë se 400 km kanale ujitjeje dhe kullimi vetëm në këtë zonë.

Ai shtoi se në pjesën e Divjakës që është edhe zona më intensive bujqësore në këtë rajon për herë të parë në Shqipëri, do të bëhet vaditja me matës dhe do garantohet përfundimisht që uji të shkojë në çdo parcelë dhe të mos ketë më nevojë për pompa që e nxjerrin ujin nga poshtë dhe pastaj kanë pasojën që e kripëzojnë tokën dhe e bëjnë të papërdorshme në harkun e viteve.

“Gjithsecili ta dijë sa ujë merr dhe harxhon dhe burimi ujor menaxhohet që çdo pikë të shkojë tek toka. Kështu kemi mundësi të bëjmë një bilanc shumë të qartë, siç shkon uji në shtëpi, vjen edhe uji në parcelë me sahate, me rubinet, është aty kur duhet e ndalon kur nuk duhet. Është një inovacion që duam ta shtrijmë edhe më tutje. Ky është një transformim rrënjësor, me një pjesë të rrjetit që po bëhet siç nuk ka qenë kurrë në të shkuarën, me shtretër të shtruar me rrjetë hekuri poshtë. Një pjesë tjetër po pastrohen dhe do vazhdojnë të jenë të pastra, sepse të gjitha bashkitë morën dhe ekskavatorët modernë, të fuqishëm e të rinj dhe pak nga pak do ta shtrijmë këtë që filluam këtu, edhe më tutje, në mënyrë që të kemi një rrjet furnizimi me ujë modern,” u shpreh Kryeministri.

400 km kanale, të para të pastruara nga dherat, inertet dhe sedimentet të ndërtuara nga fillimi jo vetëm me veshje betoni por edhe me rrjeta hekuri, po ashtu me daljet për kanalet dytësore e terciare janë investime që ndikojnë drejtpërdrejtë në produktin bujqësor të Lushnjës e Divjakës.

5060 hektarë sipërfaqe e përmirësuar në kullim, 8350 familje fermerë përfituese në Divjakë, Fier Shegan, Krutje, Martish, Goricë, Grabian etj., formojnë atë që quhet unaza bujqësore në Lushnje e Divjakë, një nga rajonet më bujqësore të vendit. Këto janë rezultatet e investimeve të kryera në vitin 2016 në sistemin e ujitjes dhe kullimit.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja Eglantina Gjermeni, deputetë të zonave Erjon Braçe, Arben Cuko si dhe kryetari i bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi, inspektuan disa segmente të kanaleve tashmë të pastruara përgjatë kësaj unaze dhe ku pritet të fillojë faza tjetër, ajo e modernizimit të sistemit.

Vënia në funksion dhe modernizimi i tyre sjell zhvillimin e tokave dhe të fermave nën potencialin e tyre.

Në Çermë, Kryeministri Rama inspektoi edhe rikonstruksionin e shkollës, një investim prej mbi 65 milionë lekë. Përveç rikonstruksionit të plotë të mjediseve mësimore, është ndërtuar nga e para një pjesë e saj, janë shtuar 12 klasa dhe është instaluar sistemi i ngrohjes. Shkolla do të këtë edhe një fushë multifunksionale, të shtruar me tapet gome, që do të jetë në dispozicion jo vetëm të nxënësve, por edhe të komunitetit. Vitin e ardhshëm shkollor, 500 nxënësit dhe 20 mësuesit do të ulen në mjedise të reja.

Kryeministri u ndal edhe në shkollën në Këmishtaj, gjithashtu në rikonstruksion që përfshin përveç mjediseve mësimore, edhe mjediset e jashtme, sipas konceptit të shkollës qendër komunitare. Ambienteve të kësaj shkolle po i shtohet gjithashtu edhe një palestër e re e cila po ndërtohet nga e para.