Transmetuar më 08-02-2017, 20:37

Grupet e ekspertëve të Repartit të Inspektim, Shpëtim Minierave së bashku me kompaninë koncesionare dhe nënkontraktorin kinez po vazhdojnë edhe pas katër ditësh operacionin për kërkimin e 3 minatorëve kinez që u bllokuan pas aksidentit të së shtunës në nivelin e 21 të minierës së Bulqizës. 

Pas pastrimit intensiv që i është bërë pusit këto ditë nga mbetjet e shpërthimit të së shtunës dhe pas pastrimit të kolonës nga niveli i 5 në atë të 14, filluan gjatë ditës së sotme përpjekjet për të ulur ekipin e avarive në zonën e nivelit 21 që përkon edhe me fundin e minierës, vendi ku dyshohet se kanë mbetur tre minatorët. 

Pas mesditës së sotme u bë ajrimi i minierës dhe futja e katër punonjësve të ekipit të avaro-shpëtimit. Ata arritën të bëjnë vetëm 70 metra drejt objektivit pasi sapo kaluan nivelin e 16 u dha sinjali i ngjitjes lart për shkak të përqindjes së lartë të gazit hidrogjen në ajër. 

Në këto kushte, u reagua menjëherë nga ekipi drejtues i avarive dhe u nxor grupi sërish në nivelin e 14 për të mos rrezikuar jetën e tyre. 

Nga niveli 14 deri në nivelin e 21 ku dyshohet se ndodhen minatorët është një distancë prej 240 metrash. 

Ekipi drejtues i operacionit nën koordinimin e zv.ministrit të Energjisë dhe Industrisë z.Gezim Musabelli po shqyrton një mundësi të re për përforcimin e sistemit të ajrimit dhe do të vazhdojë punën edhe gjatë natës me shpresën se mëngjesin e nesërm mund të provohet një tjetër tentativë për të zbritur grupet e shpëtimit në nivelin 21. /noa.al/