Transmetuar më 08-02-2017, 19:36

Ministri i Financave Arben Ahmetaj dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, morën pjesë këtë të mërkurë në një mbledhje të përbashkët të përfaqësuesve të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, e cila u zhvillua në Romë.

Tema kryesore e takimit të organizuar nga Ministri i Ekonomisë Patrizio Pagano ishte “Politikat fiskale në mbështetje të rritjes ekonomike”, ku u diskutuan zhvillimet e përgjithshme të ekonomisë globale, impakti i tyre në ekonomitë e vendeve dhe masat që secili vend ka marrë në mbështetje të rritjes ekonomike dhe konsolidimit fiskal, duke marrë parasysh edhe kufizimet e ndryshme buxhetore.

Në fjalën e tij Ministri Ahmetaj u përqendrua tek masat që Shqipëria ka ndërmarrë në tre vitet e fundit, për të kapërcyer situatën e vështirë ekonomike që trashëgoi nga viti 2013, ku problemi kryesor ishte akumulimi i një mase të madhe detyrimesh të prapambetura dhe borxhi i lartë publik që përbënin risqe serioze për ekonominë me një rritje statistikisht prej 1%.

Ai u ndal tek arritjet kryesore të programit tre-vjeçar të qeverisë shqiptare me Fondin Monetar Ndërkombëtar, një program që sikurse e theksoi Ministri, ishte i suksesshëm dhe arriti objektivat e tij kryesorë.

“Ka një mungesë përputhshmërie në kohë mes politikave fiskale që ndërmerren dhe rritjes ekonomike. Ne jemi munduar të fokusohemi dhe të zbatojmë ato politika fiskale që nuk e dëmtojnë rritjen, duke gërshetuar hapësirën tonë fiskale me shpenzime që nxisin rritjen ekonomike” – tha Ahmetaj.

Në këtë kuadër, Ministri e vuri theksin edhe tek reformat e ndërmarra në sektorët kyçë të ekonomisë dhe impaktin e tyre pozitiv, të reflektuar në shifrat e rritjes ekonomike, punësimit, besimit në ekonomi dhe projeksionet e qeverisë shqiptare, FMN dhe BB për përshpejtimin e rritjes dhe vazhdimin e konsolidimit fiskal në periudhën në vijim.

Nga ana e tij, Sejko prezantoi panoramën ekonomike të vendit, duke theksuar se rritja ekonomike është në një trajektore pozitive zhvillimi, e mbështetur nga kombinimi i stimulit monetar me konsolidimin fiskal. Gjithashtu, Sejko u shpreh se ekonomia pritet të vazhdojë rritjen e qëndrueshme dhe se balancat kryesore makro-ekonomike do të forcohen në të ardhmen.

“Banka e Shqipërisë pret një aktivitet ekonomik në përmirësim në terma kohorë afatmesëm, i cili do të mundësojë kthimin e ekonomisë në ekuilibër, përmirësimin e mëtejshëm të treguesve të tregut të punës, si dhe kthimin e inflacionit në objektiv”, deklaroi Sejko./b.l/noa.al/