Transmetuar më 08-02-2017, 15:11

Kthjellime dhe vranësira të herë pas hershme do të dominojnë kushtet e motit në të gjithë territorin shqiptar deri në mesditë kur pritet fuqizim i vranësirave në vend duke rrezikuar nga shira të pakët zonat jugore.

Pasditja dhe orët vijuese do të shtojnë vranësirat në të gjithë territorin duke bërë që zonat Jugore të dominohen nga vranësira dhe reshje të herë pas hershme. Në të njëjtat kushte atmosferike do të mbetemi edhe gjatë natës.

Sipas MeteoAlb, temperaturat e ajrit do të pësojnë një rënie të lehtë në të dy vlerat ekstremale ditore. Era do të fryjë mesatare deri e fortë me shpejtësi deri 55 km/h nga drejtimi lindor-juglindor, për pasojë në det do të gjenerohet dallgëzim deri 4 ballë.

Europa

Europa Qendrore dhe Lindore do të mbeten në kushte të qëndrueshme atmosferike ku moti i kthjellët dhe temperaturat e ulëta do të jenë dominante. Po ashtu, me kthjellime e vranësira kalimtare paraqiten pjesa më e madhe e Europës Veriore dhe Perëndimore.

Ndërsa Europa Juglindore paraqitet me vranësira e reshje të pakta shiu e dëbore. Problematike paraqitet situata në Mesdheun Qendror ku stuhitë e fuqishme të erës dhe reshjet intensive do të rrezikojnë ishujt Korsika dhe Sardenja por edhe Italinë jugore nga përmbytjet./b.l/noa.al/