Transmetuar më 08-02-2017, 14:42

Qytetarët e Tiranës shohin përmirësim të shërbimit të transportit publik, sidomos me zbatimin e projektit të bashkisë për biletën elektronike, shtimin e korsive të dedikuara për autobusët, shtimin e numrit të tyre në qarkullim apo mbulimin (zgjatimin e linjave) me transport urban edhe të zonave ku më parë nuk ofrohej shërbim. Po ashtu, Bashkia e Tiranës do të jetë bashkia e parë në Shqipëri, e cila do të vërë në zbatim biletat elektronike.

Gjatë prezantimit të përfundimeve të sondazhit për transportin publik në Tiranë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dha një lajm të mirë për të gjithë qytetarët, të cilët sikurse në qytetet e tjera europiane, nuk do të kenë më kontakt fizik me fatorinon, por do ta paguajnë në mënyrë elektronike atë, duke rritur jo vetëm transparencën, por edhe kursyer kohë.

“Projekti i biletës elektronike ka qenë një proces shumë i gjatë. Për 25 vite ishte monopol i qeverisë qendrore, por gjithmonë kemi besuar te decentralizimi. Nuk  mund të jetë qeveria qendrore që printon bileta për të gjitha bashkitë. Ndaj më vjen mirë që ky monopol shuhet sot. Me vendimin e Këshillit të Ministrave, më në fund Tirana do të jetë qyteti i parë në Shqipëri që do të kalojë në një sistem elektronik. Ashtu siç folëm dje për risinë e re të parkimit me sms, ashtu edhe me autobusët do të kalojmë në një situatë ku nuk do të ketë më kontakt me fatorino dhe s’do të ketë më shkëmbim për bileta fizike që janë gjithmonë një hapësirë për abuzim”, theksoi Veliaj.

Ndërkaq, ai bëri të ditur se në qarkullim janë shtuar edhe 90 autobusë të rinj, duke e çuar në 290 mjete në shërbim ditor, nga 200 që ishin aktualisht në të gjitha linjat që mbulojnë territorin e Tiranës. Veliaj deklaroi se do të marrë zgjidhje edhe shqetësimi për vonesat e autobusëve, ku përmes sistemit GPS, operatorët jo vetëm do të kontrollohen nga Bashkia, por njëkohësisht edhe qytetarët do të dinë në kohë reale vendndodhjen e saktë  të autobusit.

Gjithashtu, ai vlerësoi se një tjetër masë që ka dhënë rezultate pozitive në këtë sondazh është edhe shtimi i numrit të stacioneve. “Më vjen mirë që në pjesën masive na ka dhënë një rezultat pozitiv shpeshtësia e stacioneve, që për disa janë shumë më afër, por sidomos për njerëz të moshuar, gra me fëmijë, shpeshtësia e stacioneve duket që është shpërblyer nga opinion qytetar, sepse 89% e tyre mendojnë që largësia mes stacioneve nuk është problem me rrjetin e ri të ndalesave që kemi ofruar, ndërkohë që 11%, një pjesë e vogël, mendojnë se duhet të jenë edhe më të shpeshta”, tha kryebashkiaku.

Të dhënat e sondazhit tregojnë se në një kohë të shkurtër, projekti i Bashkisë së Tiranës për të vendosur biletën elektronike gjen një mbështetje të gjerë te qytetarët. Nga sondazhi i realizuar mbi cilësinë e transportin publik në kryeqytet, rezulton se 78% e qytetarëve të anketuar kërkojnë që në autobusë të përdorin biletën elektronike.

Gjithashtu, qytetarët kanë vlerësuar nismën për  ndërtimin e korsive të dedikuara për autobusët, të cilat jo vetëm do të rrisin qarkullimin e tyre, por në të njëjtën kohë edhe sigurinë e udhëtarëve. Rreth 76% e qytetarëve të anketuar vlerësojnë korsitë e dedikuara për autobusët. Sipas këtij sondazhi, 54% e qytetarëve janë të kënaqur më shërbimin e ofruar në linjat e transportit publik, ndërkohë që 46%  e qytetarëve të anketuar shohin si element përmirësimi kontrollin e shërbimit nga Bashkia e Tiranës.

Ajo që konstatohet nga sondazhi rezulton se ndryshe nga dy vite më parë, ku shërbimi i transportit publik ishte në kushte skandaloze, gjendja është përmirësuar ndjeshëm, ç’ka vlerësohet edhe nga qytetarët tepër pozitivisht. Gjithashtu, 53% e qytetarëve mendojnë se autobusët janë cilësorë dhe 52% prej tyre mendojnë se autobusët janë të sigurt. Perceptimi i qytetarëve për transportin publik ka ndryshuar edhe sa i takon pastërtisë, si dhe distancës mes stacioneve. 51% e qytetarëve mendojnë se autobusët janë të pastër, ndërkohë 89% e qytetarëve të anketuar shprehen se largësia mes stacioneve nuk është problem./b.l/noa.al/