Transmetuar më 08-02-2017, 12:08

Pas Steven Gerrard, Frank Lampard dhe Ronaldinhos, një tjetër kampion i madh pritet t’i japë lamtumirën futbollit në fund të këtij sezoni.

Ai është kapiteni i Bayern-it dhe njëkohësisht njeriu që ngriti në qiellin e Rio De Janeiros, Kupën e fundit të Botës që fitoi Gjermania.

Në 2014-tën, Philip Lahm, menjëherë pas Botërorit të fituar në Brazil u tërhoq nga kombëtarja e pancerave, ndërsa pas disa muajsh në verën e vitit 2017, ai do të varë përfundimisht këpucët në gozhdë.

Lahm ka komunikuar zyrtarisht se në fund të këtij sezoni do të tërhiqet nga futbolli. Një lajm i papritur dhe jo pak i dhimbshëm ky për tifozët e Bayern-it të Mynihut dhe ata të kombëtares gjermane.

Lahm-it si një ikonë e Bayern-it i është propozuar pozicioni i drejtorit sportiv te kampionët e Gjermanisë, por lojtari ka bërë me dije se nuk do të marrë atë rol, pasi nuk është momenti i duhur për të që të ketë një detyrë të tillë në klub.