Transmetuar më 08-02-2017, 09:29

Një bisedë e ngrohtë dhe miqësore ka qenë dje ajo mes krerëve të Lëvizjes “Vetëvendosje” dhe familjes së Driotëro Agollit, të bijës Elonës dhe bashkëshortes, Sadijes. Përfaqësues të partisë politike nga Prishtina kishin ardhur për ngushëllime në emër të qytetarëve të Kosovës në familjen e shkrimtarit që u shua në moshën 85-vjeçare. Gjatë takimit në shtëpinë e Dritëro Agollit me miqtë nga Kosova, vajza e tij kujtoi momentet e fundit kur shkrimtari interesohej për tensionet politike dhe shkarkimin e ministrit të Drejtësisë.

Ndërsa, bashkëshortja, Sadija tregoi se Dritëroi donte ta kishte pranë në çastet e fundit në spital në të njëjtën dhomë, ku ajo të kryen kontroll të plotë për veten.

“Na pyeste se çfarë ka ndodhur në politikë kur iku Ylli Manjani dhe madje na tha edhe disa vargje për të”, rrëfeu e bija Elona.

Vargjet për Manjanin: “Nga qielli u këput një Yll dhe ra, në mes të detit tej në errësirë, Vëllezërit e përzunë- gjyshja tha, se s’ish për ta vëlla dhe shok i mirë”.

Ndërsa bashkëshortja, Sadija, tha se nuk donte të shkonte në spital.

“Ndërsa po e bindnim, ai më tha që të shkoja edhe unë me të në spital, më tha që të shtroheshim të dy në spital, të merrnim një dhomë dhe unë të bëja kontrollet aty”.

Gjatë këtij rrëfimi, Sadije Agolli kujtoi edhe kohën kur ndërsa isha shtruar. Më pas, bashkëshortja e shkrimtarit, gazetarit e politikanit të ndarë nga jeta pak ditë më parë, kujtoi edhe kohën kur ishin të rinj.

 “Para se të martoheshim, unë i thashë se vija nga një familje besimtarësh. I thashë se babai im falej pesë herë në ditë dhe kur të vinte të më takonte, do falej edhe këtu në shtëpinë tonë. I thashë Dritëroit se do ta kishte vështirë se ishte ateist dhe ishte komunizëm. Po ai më tha nuk ka problem, le të falet babai, mjafton që ne të ishim bashkë. Dhe kështu u martuam”, thotë ajo, shkruan “GSh”.

Elona sqaroi se i ati ishte demokrat dhe nuk i kishte problem këto gjëra. Takimi krerët e “Vetëvendosjes” në emër të qytetarëve të Kosovës vizituan dje shtëpinë e Dritëro Agollit për të ngushëlluar bashkëshorten dhe vajzën e tij. Albin Kurti mirëpriti kritikat e Tiranës zyrtare ndaj Serbisë për ngjarjet e fundit, pasi në luftë qytetarët e Kosovës u vranë nga serbët sepse ishin shqiptarë.

Përfaqësuesit e “Vetëvendosjes” vizituan familjen e Dritëro Agollit nga ku shprehën ngushëllimet, por edhe kanë rikujtuar takimet e gjata me të. Kreu i kësaj force politike, Visar Ymeri deklaroi se Agolli mbetet frymëzim për rininë e Kosovës të viteve ’70, kohë kur të gjithë i lexonin veprat e tij. Ymeri madje shtoi se emrin Dritëro e mbajnë mjaft të rinj kosovarë, duke marrë shembull nga shkrimtari që lexohej në kohën kur ata lindën. Albin Kurti tha në shtëpinë e Agollit se vepra e tij do të jetojë gjatë.