Transmetuar më 07-02-2017, 21:23

"Përshëndetje JOQ! Sapo lexova postimin se një djalë nga Kukësi Detjon Aliaj duhet të kryej një transplant veshkash.

Unë nuk vij nga një familje e pasur dhe as mesatare, por do të kisha dëshirë të bëhesha dhuruese e veshkës sepse vetëm kaq kam në dorë", ishte ky mesazhi i pabesueshëm që mbërriti pranë redaksisë së JOQ ditën e sotme.

Ajo quhet Albanezja Sherifaj, është 19-vjeçe, lindur në një fshat të Fierit dhe më pas zhvendosur në Vlorë, ndërsa sot ndodhet në azil në Francë. Nuk ka mundësi financiare për Detjonin, 23-vjeçarin që po lufton me vdekjen për të mbijetuar, por do dhurojë pjesë nga trupi i saj, njerën veshkë të sajën.

Detjon Aliaj është i riu 23 vjeçari nga Kukësi, i cili ndodhet i shtruar në spitalet e Italisë, sepse veshkat e tij janë të dëmtuara rëndë dhe ka nevojë për transplant të menjëhershëm të tyre. Familjarët dhe miqtë e tij bëjnë thirrje për ndihmë ekonomike në mënyrë që Detjoni të vazhdojë jetën. Ndaj Alba siç i thërrasin shkurt, ka marrë këtë vendim të vështirë, por që ajo nuk pendohet, madje bën me dije se ka folur vetëm me nënën e saj dhe nëse vëllezërit apo babai e kundërshton, nuk ka ndërmend që të tërhiqet.

Nuk dihet sesi do të shkojnë gjërat dhe nëse trupi i Detjonit do ta pranojë veshkën, por mjafton dëshira e madhe e kësaj vajze për të bërë një dhurim kaq human.

Intervista e shkurtër me Albën

Është një gjest shumë i madh, çfarë ju shtyu që ta merrnit këtë vendim?

Jam 19-vjeçe, disa vite më parë gjyshja ime vdiq nga i njëjti problem dhe unë nuk kisha mundësi t’ia dhuroja veshkën sepse isha fëmijë, kur kam në dorë të bëj diçka për të shpëtuar një jetë përse të mos e bëj, të pakën nuk dua të më ngelet peng që nuk bëra asgjë, po të kisha pasuri do e dhuroja të gjithë, por vetëm kaq kam.

Të dhurosh një organ të trupit tënd nuk është e lehtë, je e sigurt për këtë që kërkon të bësh?

Nuk bëhet fjalë për një lojë, por për një jetë dhe nëse ajo varet nga mua, do e bëja.

Je konsultuar me familjarët për këtë vendim?

Po, vetëm më nënën time

Të ka mbështetur?

Po

Si mendon se do e presin dy vëllezërit dhe babi këtë vendim?

Unë jam në një moshë që vendos vetë për jetën time, vëllezërit i kam më të vegjël dhe besoj se një ditë do të më kuptojnë arsyen se pse po e bëj këtë gjë.

Cila është familja jote dhe nga cili qytet i Shqipërisë jeni?

Familja ime është e përbërë nga prindërit, dy vëllezër dhe një motër, kemi dy muaj që jemi në Francë në azil, deri në moshën 15-vjeçare kam jetuar në fshatin Varibop të Fierit, ku dhe kam lindur dhe më pas jam zhvendosur në qytetin e Vlorës.

Si e mendon të ardhmen tënde, do vazhdosh studimet?

Po kam dëshirë të vazhdoj akademinë e rendit, këtë dëshirë kam shprehur edhe këtu në Francë, shpresoj që ta vazhdoj.

Diçka të fundit…

Shpresoj që çdo gjë të shkojë mirë dhe kjo gjë të mos marri shumë kohë sepse ai po lufton çdo ditë për të jetuar. Faleminderit juve që ju vini në ndihmë të gjithë shqiptarëve.