Transmetuar më 07-02-2017, 19:17

Tiranë, 7 shkurt 2017, NOA.al- Kryeministri Edi Rama i dorëzoi medaljen “Ordine Stella d’Italia”, trajnerit të ekipit kombëtar të futbollit, Gianni De Biasi.

“Është një nder i madh për të gjithë ne të jetojmë këtë periudhë historike për kombëtaren shqiptare dhe një ndër i madh për mua dhe besoj për të gjithë ata që kanë pasur fatin ta njohim nga afër Gianni De Biasin.”

Me këtë vlerësim, Kryeministri Edi Rama iu drejtua sot ceremonisë në rezidencën e Ambasadës Italiane në Tiranë, ku i’u dorëzua medalja “Ordine Stella d’Italia”, trajnerit të Ekipit Kombëtar të Futbollit, Gianni De Biasi.

Medalja iu akordua trajnerit De Biasi nga Presidenti i Italisë “për kontributin e tij për marrëdhëniet mes Italisë e Shqipërisë, duke treguar interes për zhvillimin e sportit në Shqipëri, duke kontribuar me përvojën e tij në rritjen e sportit shqiptar.”

 “Jam krenar, se ashtu siç u tha edhe në motivim, besoj se kemi krijuar një urë midis dy vendeve. Një det që na ndan, por na bashkon një mendësi”, u shpreh De Biasi.

Ambasadori italian Alberto Kutilo nënvizoi se “Italia dhe Shqipëria, në një moment të vështirë të Bashkimit Europian, ku ka vende të cilat mendojnë se edhe mund të dalin, këto dy vende mendojnë se mund të jenë bashkë aty. Sigurisht nuk është meritë vetëm e trajnerit, është edhe e lojtarëve, por ai arriti para nesh, para politikës, të bëjë Shqipërinë pjesë të hartës së Europës. Do të mjaftonte vetëm kjo e fundit për të justifikuar plotësisht çmimin që i jepet De Biazit.”

 “Jemi të gjithë të nderuar për këtë titull, sepse ne nuk harrojmë se Gianni është edhe qytetar shqiptar dhe Presidenti i Republikës Italiane nderon edhe një bashkëqytetarin tonë,” u shpreh Kryeministri Rama.

Ai e mbylli fjalën e tij edhe me një parashikim “Pres gjëra të mëdha për Kampionatin e ardhshëm europian. Në Kampionatin e ardhshëm Europian Shqipëria do të jetë si për të luajtur futboll në finalet, ashtu edhe për të negociuar e do jetë më afër se sot me Europën, duke shpresuar që Unioni do të jetë. Por Unioni apo jo, finalet do të jenë kështu që së paku një Shqipëria do të jetë në finalet europiane me të mëdhenjtë e Europës.” ​