Transmetuar më 07-02-2017, 14:25

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, prezantoi sot projektin më të ri inovativ, atë të rezervimit të një vendi parkimi nëpërmjet telefonit, i cili fillimisht do të zbatohet vetëm në Zonën A të qytetit. Duke folur në analizën vjetore të punës së “Tirana Parking”, kryebashkiaku Veliaj vlerësoi punën e kryer deri më tani nga kjo agjencia, si dhe shpjegoi mënyrën sesi do të funksionojë sistemi i ri rezervimit të parkimit me anë të celularit. 

“Nga ky muaj, do të mundësojmë që çdo qytetar i Tiranës të paguajë me celularin e vet një vend parkimi për aq orë sa ka nevojë, vetëm duke çuar me sms targën në numrin 50 500, i cili është i aksesueshëm nga të gjithë operatorët celularë. Vetëm duke çuar një sms në nr 50 500 ke mundësi të paguash parkingun për një orë. 10 minuta përpara se të përfundojë koha e parkimit, qytetarit i vjen një SMS i cili i kujton se duhet ta lëvizë makinën sepse po i përfundon afati i parkimit. Por, mund ta rinovosh afatin e qëndrimit duke çuar një SMS tjetër”, shpjegoi Veliaj.

Kjo do të ofrojë mundësinë që edhe punonjësit e Agjencisë “Tirana Parking” të mund të kontrollojnë pagesat e çdo vendi parkimi, duke përdorur aparatura të posaçme, pa qenë e nevojshme për të prerë fatura apo bileta parkimi.

“Të gjithë inspektorët do të pajisen me një aparaturë, pra me një tabletë, ku mjafton vetëm të fusin targën e makinës dhe do arrijnë të kuptojnë nëse parkingu është paguar dhe sa minuta i kanë mbetur secilit. Nëse parkingu rezulton se nuk është paguar, atëherë sigurisht do të aplikohet gjoba përkatëse”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës u shpreh se projekti i përdorimit të teknologjisë për të parkuar makinën do të krijojë lehtësira të ndjeshme për qytetarët, duke shmangur si kontaktin fizik me punonjësit e Tirana Parking, ashtu edhe harxhimin e kohës që kërkohej me mënyrën se si veprohej deri më tani.

“Kjo është mënyra më moderne se si sjellim qytetin e Tiranës në të njëjtin rang si shumica e qyteteve të zhvilluara. Projekti i modernizimit të parkingut do të pilotohet këtë muaj në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe mandej, do e shpërndajmë në gjithë Tiranën, kur njerëzit mjafton vetëm një SMS në numrin 50 500 apo duke përdorur aplikacionin Tirana Ime, automatikisht paguajnë parkimin”, shtoi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës bëri të ditur se paratë që do mblidhen nga parkimi do të përdoren për të blerë pemët që do mbillen në Pyllin Orbital të Tiranës. “Propozimi që i kemi bërë financave të Bashkisë është që, çdo qindarkë që do të vijë nga parkimet, do të shkojë për të blerë pemë për Pyllin Orbital. Kjo do të thotë se çdo qytetar që paguan parkimin, në thelb nuk është duke paguar parkimin, por është duke blerë një pemë që ne e mbjellim për të dhe fëmijët e tij në Tiranë”, tha ai./b.l/noa.al/