Transmetuar më 07-02-2017, 14:20

Tiranë, 7 shkurt 2017, NOA.al- Ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili zhvilloi sot një vizitë pranë strukturës së projektin “Të dixhitalizimit, përmirësimit, përditësimit, të të gjithë të dhënave ligjore dhe hartografike në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme”, pranë Drejtorinë e Përgjithshme të Hipotekave, ku u njoh nga afër me ecurinë e punës.

Ministri e vlerësoi këtë projekt si shumë të rëndësishëm për qytetarët, duke i çliruar ata nga pritjet e gjata, pasaktësitë si dhe perceptimi që humbasin kohë e nuk kryejnë punë në zyrat e hipotekave në vend.

“Është një përgjigje e drejtpërdrejtë që vjen pas një projekti të menduar mirë dhe të menaxhuar mirë, pasi resurset, shpenzimet që duhen janë pikërisht nga të ardhurat që Drejtoria e Hipotekave realizon dhe në fund të fundit arrin një standard të lartë, të ri që ka munguar më parë, pra të dixhitalizimit, kompjuterizimit të të dhënave për të gjithë qytetarët, të cilët do të kenë mundësi të marrin të dhënat shumë shpejt në kohë. Saktësia e tyre është e padiskutueshme, pra arrihet një nivel shërbimi ashtu sikurse ata janë mësuar jashtë Shqipërisë dhe ky lloj realiteti evropian të jetë i prekur nga qytetarët tanë”, tha Vasili

Ministri shtoi se është lajm i jashtëzakonshëm që të dhënat për zonën urbane, periurbane, por edhe ato rurale të Tiranës janë hedhur, duke e vlerësuar këtë një shembull të jashtëzakonshëm të një pune të bërë në jo më pak se 4 muaj.

“Është shumë e rëndësishme që më shumë se 60 % e projektit është e realizuar në 4 muaj dhe se ritmi i punës është në një nivel që rrallë shihet në administratën shqiptare, pasi një grup i jashtëzakonshëm të rinjsh punojnë me dy turne në ditë dhe kanë arritur një punë që muaj më parë shihej si e parealizueshme, si një utopi”, tha Vasili

Ministri deklaroi se shtrirja e projektit në të gjithë Shqipërinë është një ngjarje e jashtëzakonshme, ndërsa bëri me dije një nismë të re të Drejtorisë së Përgjithshme të Hipotekave, e cila pritet të lehtësojë akoma më shumë qytetarët, por dhe zemërimin kur në disa raste shërbimet u mungojnë.

Ai informoi se në ditët që vijojnë, do të hapen zyrat e reja të pritjes së dokumenteve të hipotekave në 27 njësitë vendore, ku nuk ka drejtori për t’u bërë të mundur qytetarëve të shpëtojnë nga rropatja e tyre në zyrat e institucioneve tona, pa marrë zgjidhje, duke u vonuar e duke u zemëruar.

“Ky stimul, kjo lloj fryme, pra duke vënë në qendër të çdo gjëje qytetarin, duke menduar se çdo të na bezdiste ne si qytetarë po të ishim në një zyrë shteti kjo do të na prijë edhe për punë të tjera, por edhe mënyra sesi u zgjidh kjo çështje me ndryshimin e projektligjit që lejonte hipotekën të përdortë të ardhurat që krijonte, ritmi dhe cilësia janë shembull për t’u ndjekur edhe në çështje të tjera që ne kemi, të cilat janë të realizueshme”, nënvizoi Vasili.

Në fjalën e tij, kryeregjistruesi Ilirjan Muho deklaroi se projekti i dixhitalizimit, përmirësimit, përditësimit, të të gjithë të dhënave ligjore dhe hartografike në ZRPP do të përmirësojë në mënyrë të dukshme cilësinë e shërbimeve për ta çuar atë në ato standarde që duam.

Projekti i dixhitalizimit, përmirësimit, përditësimit, të të gjithë të dhënave ligjore dhe hartografike në ZRPP, ka nisur në vitin 2016, me burime të brendshme njerëzore dhe financiare të vetë ZRPP.