Transmetuar më 07-02-2017, 14:09

Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri gjatë fjalës së tij me banorët e Burrelit, në kuadër të misionit sensibilizues për dorëzimin e armëve tha se për disa është modë të bësh gangsterin.

“Duke ju parë në fytyrë, më kujtohet dhe mua vetja kur isha në gjimnaz: 23-24 vite më parë doli si modë që dukeshe më trendy, më gangster nëse nuk e merrje fare çantën, librat, mbaje një fletore në xhep, edhe atë fletoren e lije poshtë bankës për ta gjetur të nesërmen po aty, e kështu me radhë. Dukej një tendencë e modës nëse shtyheshin kufijtë e ligjit, apo nëse nuk i përkushtoheshe aq shumë mësimeve. Dhe kjo e gjitha kishte të bënte me modelin në fakt”, tha Tahiri.

Ai shtoi se sot, ka shumë njerëz që armën e kanë mbajtur sepse nuk ekzistonte Shteti. “Sot sfida jonë është: ejani të punojmë të gjithë bashkë për të bërë një shtet më të fortë, pa pasur nevojë që secili të mbajë armën për t’u mbrojtur. Ka shumë njerëz që arma u ka mbetur aty dhe nuk e kanë dorëzuar për shumë arsye, njëra prej të cilave se dënoheshe nëse kishe armë. Ja përse ne kemi miratuar një ligj në Parlament, dhe nga sot e për disa kohë (30 prill 2017) nuk do të dënohen ata që e dorëzojnë në mënyrë vullnetare armën”, vijoi ai.

“T’ju jap një statistikë që ndoshta ju vlen ta kuptoni. Vetëm vitin e kaluar Policia ka arrestuar mbi 1100 persona për “Armëmbajtje pa leje”, pra me armë pa leje. 1.100 persona janë realisht shumë, më shumë se 3 në ditë. Janë 1.100 njerëz të cilët do kenë probleme në të ardhmen e tyre për shkak të veprës penale që kanë kryer. Pra një gabim i momentit i kushton të ardhmen një njeriu. Por këta 1.100 janë ndërkohë dhe kambana më e madhe e alarmit për problemin që kemi dhe atë që duhet të bëjmë lidhur me armët pa leje, lidhur me domosdoshmërinë për t’u bërë të gjithë bashkë që ky të mos jetë më një problem”, nënvizoi Tahiri.