Transmetuar më 06-02-2017, 23:37

“470 mijë lek të vjetra konsum energjie elektrike”, kjo është fatura që i ka mbërritur familjes Bejleri në fshatin Çërravë për muajin dhjetor 2016, një faturë e cila sipas kryefamiljares, Shpresa Bejleri, është jashtë çdo mundësie për tu paguar nga ajo.

Për më tepër kjo familje ndez vetëm një televizor dhe nuk ka asnjë lloj mundësie për ta harxhuar këtë sasi energjie.

Shpresa e cila prej gati tre vitesh rrit e vetme tre fëmijë jetimë, pasi bashkëshorti i saj humbi jetën pasi e zuri një masiv gurësh, tregon për televizionin Sot, se të ardhurat e saj janë vetëm 65 mijë lek të vjetra në muaj dhe bën apel që institucionet të reagojnë dhe të zgjidhin këtë gabim, pasi ajo nuk mund të lajë fatura që jo vetëm nuk i përballon dot por dhe që nuk i ka harxhuar.

“Unë nuk kam furrat e bukës që të laj faturën. Kam hequr bukën e gojës së fëmijëve që të jem në rregull me qeverinë”, shprehet kryefamiljarja, Shpresa Bejleri.

Në 2015 Shpresa humbi bashkëshortin, i cili la pas një “mal” me borxhe dhe tre fëmijë.

Asaj i’u premtua punë por në fakt askush nuk e punësoi që ajo të marrë një rrogë për të ushqyer fëmijët e saj.

“Më kanë premtuar shumë, por deri më sot asgjë”, tregon Shpresa.