Transmetuar më 06-02-2017, 21:48

Vajza e Dritëro Agollit, shkrimtarit ikonë, i cili u përcoll ditën e diel për në banesën e fundit,  ka publikuar disa rrjeshta prekës për babain e saj.

Elona Agolli, publikoi sot një status prekës në llogarinë e saj në rrjetin social, Facebook,

Postimi i Elona Agollit:

Ati im Dritëro,

Ke shkruar aq shumë poezi për vdekjen, duke dashur të sfidoje ankthin prej saj. E mallkuara të mposhti; të mposhti fizikisht e përkohësisht.

Dritëroi po fle, dhe në ëndrrat e gjithkujt do shfaqet përherë si bardi Dritëro që kurrë vdekje nuk ka.

Ati im, nuk më ndodhesh pranë fizikisht, unë nuk të ledhatoj dot flokët e bardha e të bukura tanimë, unë nuk këmbej dot mendime dhe ide të mençura , por unë të lexoj, të ndjej, të kam të gjallë.

Më thoje dikur që “e di ti si thotë një i ditur?: Sa më larg distancohesh nga ndërtesat e larta, aq më të larta duken”

Dhe ti Ati im je si ai monument i lartë që përherë do na shëmbëllesh edhe më i lartë.

Nuk është e lehtë për mua vajzën, që përballë dashurisë së pakufi e pa kushte për Atin, të pranojë ligjet e natyrës e faktin që jeta është proces.

“Mos vdis në dhomën e heshtur i shtrirë, Është turp kaq shpejt të rrish e të vdesësh. Ne ëndërronim një vdekje pak më të mirë Duke vdekur fytyrat tona t’i shihnim në pikën e vesës.”. gjëmon zëri i poetit, në “Ëndërr e prerë”.

Ati im i shenjtë Dritëro lamtumirë.