Transmetuar më 06-02-2017, 18:23

Mbulimi i gjithë territorit me linja urbane, shtimi i flotës së autobusëve dhe korsive të dedikuara, si dhe përdorimi i teknologjisë për kontrollin e vazhdueshëm të afateve kohore, janë disa nga masat që Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë për përmirësimin e shërbimit të transportit publik në Tiranë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i bëri publike këto masa në analizën vjetore të Ndërmarrjes së Punëtorëve të Qytetit Nr. 3, ku theksoi se pavarësisht përmirësimit të ndjeshëm të transportit urban në kryeqytet në vitin e fundit, ka ende shumë për të arritur standardet e kërkuara nga qytetarët.

Veliaj tha se për të mundësuar lëvizjen më të lehtë të prindërve dhe nxënësve në shkolla, kryesisht në orët e pikut të trafikut, Bashkia do të shtojë autobusët në linjat kryesore të transportit urban.

“Në linjën e Unazës, nga 1 Shkurti, kemi shtuar 14 autobusë ‘firzamonikë’, duke qenë se ata kanë kapacitet më të madh dhe në orën e pikut, që është ora 7:00 me 8:30, numri i njerëzve që përdorin transportin urban është më i madh. Besoj se shtimi me 14 mjete të rinj është një gjetje e mirë, i cili ka ulur ndjeshëm vonesat, sidomos në linjën e Unazës. Do të vazhdojmë kështu me të gjitha linjat”, u shpreh kryebashkiaku i Tiranës.

Përveç shtimit të flotës së autobusëve, Veliaj tha se do të futen edhe sistemet e monitorimit online të lëvizshmërisë së autobusëve, për të shmangur vonesat e pajustifikuara të mbërritjes në stacion.

“Duke filluar nga ky muaj, edhe për çështje të sigurisë së fëmijëve, autobusët e Tiranës do të pajisen me GPS për të kuptuar se ku ndodhen ekzaktësisht në një çast të caktuar. Inspektimet do të vazhdojnë, por në mënyrë moderne secili autobus do të ketë GPS-in e vet që të dimë ekzaktësisht shpejtësinë me të cilën po ecën, vendndodhjen, nëse ka trafik apo nëse një kompani ecën ngadalë për të mbledhur më shumë pasagjerë. Besoj se ky modernizim e ruan vreshtin më shumë se sa frika se po na vjen kryetari sot në autobus, siç kemi bërë këto ditë”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku njoftoi edhe nisjen së shpejti të projektit për ndërtimin e 20 shkollave në Tiranë, çka sipas tij do t’i japë fund problemeve me mbingarkesën në shkolla. “Bashkë me qeverinë shqiptare do të publikojmë projektin e 20 shkollave të reja në Tiranë. Kjo do të thotë se kemi edhe një vit kohë që të menaxhoni dhe të riparoni gjithë shkollat ekzistuese dhe pastaj do t’ju shtohen në inventar edhe rreth 20 shkolla të reja. Por, besoj se është një vendim i guximshëm, por i vetmi vendim që zgjidh në mënyrë afatgjatë çështjen e  shkollave me dy turne”, theksoi kryetari i bashkisë./b.l/noa.al/