Transmetuar më 06-02-2017, 17:09

Sot në mbledhjen e Komisionit parlamentar të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj informoi deputetët e këtij Komisioni në lidhje me ecurinë e deritanishme të punës përsa i përket Urgjencës Kombëtare Mjekësore.

“Me riorganizimin e këtij shërbimi dhe ngritjen e një shërbimi kombëtar të urgjencës mjekësore, rrisim numrin e autoambulancave që do të jenë njëherësh në shërbim të qytetarëve, ndërkohë që për këtë qëllim, kemi investuar deri më sot 10 miliardë e 150 milionë lekë. Janë punësuar rishtazi 500 persona, personel mjekësor, mjekë, infermierë, si dhe është shtuar pozicioni i ri i koordinatorit”, u shpreh Beqaj.

Më tej ai deklaroi se me sistemin e vjetër ishin 70 autoambulanca njëherazi në shërbim të qytetarëve, ndërsa sot, sipas Beqaj numri i autoambulancave që do të jenë njëherësh në shërbim, do të jetë 127, duke siguruar kështu mbulimin më të mirë, më të plotë e më cilësor, në raportin një autoambulancë për 23 mijë banorë, nga 1 autoambulancë për 41 mijë banorë që ishte më parë./b.l/noa.al/