Transmetuar më 06-02-2017, 15:17

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj. Milva Ekonomi, zhvilloi një vizitë në një prej kompanive shqiptare që prodhojnë produkte "Made in Albania", jo vetëm për tregun vendas, por dhe për eksport. 

Ministrja Ekonomi, theksoi se bizneset duhet të ndërgjegjësohen për të ndjekur të njëjtin model, që të mbrojnë pronën e vet industriale, pasi kështu janë dhe më konkurrues në treg. Ministrja u shpreh se produktet ‘Made in Albania’ janë një faktor shumë i rëndësishëm për ekonominë e Shqipërisë.

“Pronësia industriale është një mjet komunikimi në treg mbi cilësinë dhe origjinën e produkteve që na ofrohen. Ajo përbën garanci për konsumatorin, por edhe reputacion për ju si sipërmarrës.  Është fakt i njohur që sistemi i pronësisë industriale është motor nxitës i zhvillimeve të tregut”, tha Ministrja Ekonomi.

Ajo shtoi se për shumë kompani vlera e aseteve jo materiale, markat tregtare apo disenjot industriale e tejkalon dukshëm vlerën e aseteve fizike, ndaj është i domosdoshëm regjistrimi dhe mbrojtja e tyre. 

Ajo shtoi se Qeveria shqiptare, i ka përshtatur më së miri kriteret, duke aderuar në marrëveshjet ndërkombëtare të kësaj fushe, për t’i dhënë mundësinë sipërmarrëseve shqiptare, të kërkojnë të drejtat e mbrojtjes edhe në vendet partnere, ku kanë të shtrirë aktivitetin e tyre./b.l/noa.al/.