Transmetuar më 06-02-2017, 13:01

Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, zhvilluan të hënën në Tiranë,  një takim me përfituesit e skemës lehtësuese nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), ku prezantuan projektin që do të nisë brenda këtij viti për leximin kompjuterik të matësve të energjisë.

Kryeministri paralajmëroi se do të ketë ulje të TVSH-së së energjisë, por kjo, sipas tij, kërkon të gjithë sistemin të ndërtuar dhe që është i kontrolluar dhe i kontrollueshëm nga qytetari. Rama nuk foli për vlerën që do të ulet TVSH dhe kur. Më herët gjatë fushatës elektorale më 2013, z.Rama premtoi uljen në 6 për qind të TVSH që aktualisht aplikohet në masën 20 për qind.

Kreu i qeverisë tha më tej se brenda vitit 2017, “leximi i faturës do të jetë kudo, jo më siç i duan sytë dhe ia kërkon xhepi një lexuesi që në bazë të ryshfetit bën faturën, po siç e lexon kompjuteri”.

Nga ana tjetër siç tha ministri po punohet për të vendosur një mesatare, që leximi mos të bëhet çdo muaj, por 4 herë në vit”, – shtoi Rama.

Ndërsa ministri Gjiknuri shpjegoi lidhur me këtë projekt se, “do të paguhet një mesatare mujore, dhe leximi i faturës të lexohet një herë në tre muaj dhe aty të bëhet azhornimi nëse ka më shumë detyrime operatori ia kthen qytetarit, ose e kundërta”.

“Do të thotë që dhe qytetari mësohet me një pagesë konstante, por edhe ka mundësi të korrigjohen abuzime”.