Transmetuar më 05-02-2017, 18:09

Nga Luan Rama 

“I dashur Dritëro!

Sadija më ka lënë një barrë të rëndë!

Më duhet të them dy fjalë të fundme në këtë çast kur dhembja bëhet edhe më e rëndë, edhe më e madhe!

Më fal të të drejtohem të më japësh ndihmë edhe këtë çast!

“Më lër të bie në prehrin tënd të ngrohtë, o hallemadhja ime shekullore!”- ke shkruar Dritëro për nënën Shqipëri. Dhe hallemadhja me xhubletë e fustanellë po të merr në prehrin e saj. T’i puthësh duart, me të mirat në botë.

Shko Dritëro!

Shqiptarët nuk do të të harrojnë dhe gjithnjë do të të nderojnë!

Faleminderit për gjithçka bërë për Shqipërinë dhe shqiptarët!

Shqiptarët nuk do të të harrojnë, sepse disa breza një pas një për më shumë se një gjysmë shekulli e mësuan bukurinë e gjuhës shqipe përmes poezive, tregimeve dhe romaneve, dramave dhe filmave, reportazheve dhe artikujve, fjalimeve të njërës kohë dhe të tjetrës.

Shqiptarët nuk do të të harrojnë dhe do të të nderojnë sepse pa poezinë e Dritëro Agollit vargnimi shqip do të kishte mbetur tek bejtet folklorizante që sundonin vjershërimin shqip në një kohë krize të damkosur siç ishin vitet 1950.

Sepse Dritëroi nuk u përthye dhe kur kohërat u përthyen në mënyrë epokale! Sepse ne të gjithë mund të verifikojmë se ku kemi gabuar, duke bërë krahasimin e vetës me qëndrimet që ka mbajtur Dritëroi në kohërat më të vështira!

Shqiptarët nuk do të të harrojnë dhe do të të nderojnë përjetë sepse në veprën e tij ka aq shumë Shqipëri e shqiptari sa nuk mund të krahasohet thuajse askush tjetër me ty! Ndoshta sepse letërsia, në ardhtë një ditë që gjysmëshekulli letërsi të gjykohen prej pranisë së njeriut, t’i mund t’ia shpëtojë nderin asaj!

Dritëroin nuk e ndali koha, edhe kur iu desh të ishte i marrë padashka, sepse marrëzia ishte kthyer në standard dhe i dituri ngjante si i lajthitur. Dritëro Agollin nuk e përkuli ndërrimi i kohëve, edhe atëherë kur duhej t’i printe një çete poetësh të nëmur, siç do të shprehej ai vetë. Vëllimi poetin “Pelegrini i vonuar” kujton zërin e Feniksit që rilind me një energji të re të pashoqe.

Sido që të shkruhet, nga kushdo që do të shkruhet, historia e letërsisë shqipe, do t’i ruajë Dritëro Agollit kryet e vendit. Përmes librave të tij, brezat e sotëm dhe breza të tjerë, të rinj, që u mungon çdo përfytyrim për jetën në shoqërinë e dikurshme, do të rinjohin të shkuarën e prindërve të tyre.

Në kohëra më të errëta, njerëzit i janë drejtuar Dritëro Agollit ashtu siç i drejtohet çeta e humbur në mes të pyllit të Dankos, dhe ai është përgjigjur njësoj si Danko për ne, si për të plotësuar profecinë e emrit që mban, duke na bërë dritë me zemrën e tij të shkrirë në fjalën e mençur dhe të bukur.

I dashur Dritëro!

Na duhet të të përcjellim!

Na duhet të të lëmë të shkosh!

Lamtumirë Kapedani im!

Lamtumirë Dritëroi ynë!

Dritërofsh apostulli ynë!