Transmetuar më 05-02-2017, 17:36

Qerim Skënderaj, fjalës i jep peshë dhe emocion. Është i ndjeshëm, ashtu si shumë krijues. Teksa e dëgjojmë e kuptojmë menjëherë se nga ka ngjarë i biri. E kemi fjalën për Alban Skenderaj. Qerimi është babai i tij. Dikur thoshin Albani, djali i Qerimit, por ja që kohët ndryshojnë, talenti trashëgohet dhe prindërit nuk kanë se si të mos ndihen krenar.

68-vjeçari ka lindur në një fshat të Mallakastrës, sot jeton në Itali. Babai e ka lënë pesë vjeç. Vazhdimisht gjatë jetës ka ndjerë mungesën e të atit, por kjo nuk e pengonte, përkundrazi i jepte forcë për të ecur përpara. Ka përfunduar studimet në Akademinë Ushtarake, një degë që nuk e ka dashur. Ka qenë korrekt më të, nuk e ka tradhtuar, por për fat të keq, tregon se nuk e ka dashuruar. Aq sa thotë se e gjithë jeta e tij ushtarake ka qenë një sakrificë. Ai donte letërsinë. Ndaj pas viteve ‘90, iu përkushtua asaj, sot e kësaj dite. Ka shkruar me dhjetëra vepra, në prozë dhe poezi.

Një nga detyrat më të bukura, por edhe më të vështira për të ka qenë shërbimi në Karaburun, shkruan gazetadita.al. Në qytetin e Vlorës u njoh dhe u dashurua me Afërditën dhe së bashku krijuan familjen nga e cila erdhën në jetë katër djem: Martini, Arbëri, Albani dhe Taulanti.

Momentalisht ai ndodhet në Itali. “Pas dhjetë vjet punë të pandërprerë në një dyqan italian me histori mbi njëqindvjeçare, mbërrita moshën e pensionit dhe i ndërpreva marrëdhëniet me punën e paguar. Tashmë shkruaj letërsi të papaguar e njëkohësisht bëj gjyshin, prindin dhe bashkëshortin. Jam këtu prej gati shtatëmbëdhjetë vjetësh”, – tregon Skënderaj.

Në këtë rrëfim për Dita-n, Qerim Skenderaj rrëfen jetën e një njeriu të thjeshtë, i cili ka njohur varfërinë, emigrimin, por mbi të gjitha ka mbajtur gjallë dashurinë për familjen.

-Z. Qerim, si dhe pse e morët këtë vendim për të emigruar jashtë vendit?

Vendimin për të emigruar nuk e mora unë. Këtë vendim e morën dy djemtë e mi të mëdhenj në mesin e viteve nëntëdhjetë. Kur mbërritën moshën e punës, as unë dhe as vendi i tyre nuk u ofroi një punë të gjenin veten dhe të ndërtonin të ardhmen. Emigruan dhe e rimbollën pemën e familjes në një tokë tjetër që i pranoi si punëtorë dhe si qytetarë. Aty, në Toscana (Toskanë), në qytetin Pistoia, me histori mbi dymijëvjeçare, bashkia e parë në Itali dhe më gjerë, shpallur kryeqytet i kulturës italiane për vitin 2017, më i populluari me shqiptarë në Itali, vendosën të rindërtojmë çerdhen tonë familjare. Pas dy të mëdhenjve, “ikën” e u bashkuan me ta edhe dy më të vegjlit. Ky vendim i dytë, më bëri të ndihem jetim. Ç’të bëja? Çfarë të prisja më? I futa krahun sime shoqeje dhe iu bashkova vendimit të tyre.

-E patët të vështirë të përshtateshit, të ambientoheshit?

Kjo pyetje më çon në fillimet e mia si emigrant. Toka e “huaj”, atdheu i huaj, gjuha e huaj, jo vetëm të hutojnë pak, por edhe të trembin shumë. Pyetja e parë që lind është: “a do t’ia dalë dot të komunikoj me këta njerëz, me këtë gjuhë?” Koka të mbushet me lloj-lloj pyetjesh të tjera, sa që truri nuk i përballon dot dhe i shkakton dhimbje të padurueshme. Stresi bëhet shtresë dhe nuk e fshin dot asnjë “fshesë”. Kështu u ndjeva edhe unë në fillimet e mia si emigrant. Më trembte rregulli, qetësia, veprimi i fortë i ligjit. Pas dhjetë vjet kaosi në Shqipëri, të shfaqej përpara një gjendje krejt tjetër, në të cilën duhej të integroheshe. Isha në moshë të avancuar, kur truri është i mbushur dhe i pranon me vështirësi gjërat e reja. Megjithatë unë i kisha disa favore. Shtëpinë e gjeta “të ngritur” e të mobiluar. Të tre djemtë e mëdhenj ishin në punë, por edhe unë isha në moshë pune dhe po më hante parazitizmi. Këmbëngula, kërkova, gjeta punë dhe hap pas hapi nisa të integrohesha në mënyrë modeste. Italia më pëlqen shumë. Toskana më mrekullon. Natyra e saj më magjeps. Pa këto bukuri, e them me bindje, do të kisha vdekur artistikisht. S’ka më të tmerrshme se vdekja e gjallë.

-Çfarë ju mungon nga Shqipëria?

E para gjë që e vuaj çdo ditë, është shqipja e folur. Më merr shumë malli të flas, të diskutoj e të analizoj në gjuhën tonë të mrekullueshme e shumë të pasur letrarishte. Tani që jam në pension flas vetëm me nipër e mbesa. Bëj gjithçka që t’ua përcjell atyre si pasuri shumë të vyer. E vetmja që na mban bashkë edhe pse të ndarë në çdo cep të globit. Të tjerët, të rriturit, i rrëmben nata pa zbardhur agimi dhe i kthen po nata, kur ka rënë muzgu. Sigurisht që më mungojnë të afërmit, miqtë dhe shokët e rrugës time të gjatë nga fëmijëria e derisa u largova.

-Z. Qerim kthehemi pak pas. Ku keni lindur dhe si ka qenë fëmijëria juaj, a ju ka munguar figura e babait?

Kam lindur në fshatin Ninësh të Mallakastrës ku mbarova arsimin shtatëvjeçar. Është pak të them se fëmijëria ime ka qenë më e bukura në botë. Për mua, natyrisht. Jam rritur në një natyrë magjike, si pjesë e saj. I lirë deri në dehje. Nuk bëja asgjë që nuk më pëlqente. Përveç bashkëmoshatarëve, burim i gëzimeve të mia ishte vetë natyra. Isha mik i ngushtë me pemët, zogjtë, burimet, kafshët e egra e të buta, me terrenin e thyer, përrenjtë, me të gjithë natyrën, në të katra stinët. Që në fëmijëri u bëra mik i ngushtë dhe i pandarë me librin. Të parin libër artistik e kam lexuar kur isha në klasën e katërt. Ka qenë ai me titull “Pa familje” i shkrimtarit francez Hektor Malo. Meritë për këtë ka pasur im vëlla, Kujtimi, mësues dhe pasionant i librit artistik. Edhe sot, fëmijërinë e kam burim frymëzimi kur shkruaj letërsi. Është ekrani më i bukur që më shfaq një kohë të shenjtë e të papërsëritshme. Megjithatë, brenga e ndarjes së babait nga jeta kur unë ende nuk isha pesë vjeç, ka qenë permanente. Kur dikë nga moshatarët e mi e thërriste i ati, gjendesha aty për të dëgjuar ç’këshilla e qortime i adresonte të birit. Nëna ime e ka mbuluar mrekullisht edhe rolin e tij, por brengën nuk ma fshiu dot nga zemra. Do të ndihesha disi më i qetë kur shkrova e botova një poemë kushtuar babait të munguar për një jetë.

-Ju jeni shkolluar për ushtarak, a ju pëlqente kjo degë? Çfarë mbani mend nga detyra juaj si ushtarak, cilat janë sakrificat më të mëdha që keni bërë në këtë drejtim?

Vazhdimi i studimeve ushtarake nuk ishte zgjedhja ime. Im vëlla kishte zgjedhur të bëhej mësues, kështu që unë, paçka se më pëlqente shumë gjuha dhe letërsia, nuk mund ta kisha këtë privilegj. Pra më zgjodhi Dega Ushtarake si nxënës me rezultate shumë të mira dhe që plotësoja kushtet për t’u bërë oficer. Kjo nuk më bëri keq, përkundrazi, më çoi në Tiranë, e cila më mbajti dhjetë vjet. Veçoritë e të qenit kryeqytet e zgjeruan vizionin tim për jetën. Gjithçka elitare ishte në Tiranë dhe aty unë nisa hapat e para të karrierës si ushtarak. Dua të theksoj se edhe pse një student i mirë e korrekt në zbatimin e programit mësimor, nuk isha një oficer i talentuar e pasionant në detyrë. Nuk shquhesha si teknicien i zoti. Më shumë u bëra i njohur si metodist dhe shkallët e karrierës i ngjita një e nga një. Ndërkohë që kishte të tjerë, të cilët ngjiteshin me kate, madje edhe disa kate njëherësh. Vitet më të vështira, por edhe më të bukura, kanë qenë ato kur shërbeja në Gadishullin e Karaburunit. Ndërsa fjalisë që mbyll pyetjen tuaj, po i përgjigjem fare shkurt: E gjithë jeta ime si ushtarak ka qenë sakrificë.

-Z. Qerim, cila është lidhja juaj me detin? Po më letërsinë?

Lidhja ime me detin është në radhë të parë shpirtërore, pastaj edhe fizike. Për mua deti është hapësirë, ngjyrë, ndjenjë, dashuri, dhimbje, frymëzim, mall, çlodhje, mister, frikë, poezi, gjithçka. Deti më ka frymëzuar poezi e prozë nga më të mirat në krijimtarinë time. Pa detin, nuk do të bëja mirë as letërsinë. Të gjitha pushimet vjetore familjare i kam bërë në det.

-Kur keni filluar të krijoni dhe çfarë ju frymëzon që të shkruani poezi dhe prozë?

Për vete kam filluar të shkruaj që tridhjetë vjeç, ndërsa për publikun në vitin 1991, kur mori jetë shtypi i lirë. Frymëzimin e marrë nga gjithçka që më vibron telat e zemrës. Është motivi që më ngërthen e nuk më ndahet deri sa i shkojë në fund asaj që më urdhëron shpirti. Lëvrojë poezinë, romanin dhe prozën e shkurtër.

-Z. Qerim, na tregoni pak për familjen tuaj…?

Familja ime u krijua në Vlorë, në fillim të viteve shtatëdhjetë, ku kemi kaluar periudhën më të gjatë të jetës familjare. Tashmë ajo mund të quhet një familje e madhe. Në përbërje të saj janë katër djem, katër nuse (më i vogli, ende është i fejuar), tre nipër, dy mbesa dhe ne çifti i moshuar. Pra, fiks, pesëmbëdhjetë anëtarë. Secili çift ka shtëpinë e vet, por të gjithë më shumë rrimë të bashkuar se të ndarë. Dy djemtë e mëdhenj së bashku me nuset punojnë në një biznes të përbashkët prej më shumë se pesëmbëdhjetë vjetësh dhe vetëm ky fakt flet goxha.

Ju keni katër djem, a ju ka munguar një vajzë?

Një vajzë për mua dhe time shoqe ka qenë më shumë se dëshirë. Ishte pasion që e kërkuam me ngulm deri tek fëmija i katërt. Kur nuk erdhi, e kuptuam se ky ishte fati ynë dhe e mbyllëm kapitullin me Taulantin që nuk e gjeti dot motrën. Megjithatë, nuset e djemve na e kanë mbushur këtë boshllëk, së paku deri tani. Shpresoj të mbeten të tilla edhe kur të plakemi ca më shumë.

-Një nga djemtë tuaj është më i famshëm dhe të gjithë e njohin, e kemi fjalën për Albanin, si është marrëdhënia juaj me të? Ndoshta vite më parë, Albanit i kanë thirrur si djali i Qerimit, ndërsa sot, besoj ju u thonë shpesh, që jeni babai i Albanit. Si ndiheni për këtë fakt?

Albani e ka shkruar biografinë e tij dhe do të ishte e tepërt që unë si baba, të shtoja ca fjalë më shumë. Ai është njëri nga katër djemtë, që i dua më shumë se jetën time. Edhe tre të tjerët kanë lidhje të ngushta me artin. Më i madhi, Martini, është piktor dhe zotëron ide të fuqishme për artin në përgjithësi. I dyti, Arbëri, është shumë i talentuar dhe po ta kishin sjellë rrethanat apo fati, mund të ishte shfaqur si kantautor i suksesshëm. Ka shkruar e kënduar një këngë shumë të bukur, që tani për tani nuk dëshiron t’ia bëjë të njohur publikut. I fundit, Taulanti, laureuar në inxhinieri mekanike, është edhe poet i mirë. Ka gati për botim librin e parë me poezi në italisht. Ndërsa Albani, tashmë i konfirmuar si artist me nivel, genin tim për të shkruar bukur e ka shkulur me rrënjë, ndërsa artin muzikor e ka ngjitur ne lartësi të reja, që më mrekullojnë e më bëjnë të ndihem krenar. Do të jepja gjithçka, përfshi edhe shpirtin tim, që t’i shoh gjithmonë të lumtur e të plotësuar.

-Prej disa kohësh jeni bërë edhe gjysh, si ndiheni për këtë fakt, e takoni shpesh mbesën?

Amelì më bëri gjysh për të pestën herë. Tashmë unë kam dy mbesa dhe tre nipër të mrekullueshëm. Janë jeta jonë, janë e ardhmja jonë. I takoj dhe i përshëndes çdo ditë. I ndjek dhe në veprimtaritë jashtë shkollës. Ameli, tashmë është në Tiranë dhe unë shihem në Skype, ku mrekullohem nga cicërimat e sajë si kanarinë lozonjare.

-Cila është lidhja juaj me Miriamin?

Lidhja ime me Miriamin, si edhe me nuset e tjera, nuk ka asnjë ndryshim nga marrëdhëniet at – bijë. E veçantë është lidhja jonë si artistë që mirëkuptohen në çdo fushë. Por Miriam, përveç vlerave të saj si njeri e si artiste, solli në familjen tonë një dimension të ri, atë të surprizave. Falë saj, ky dimension tani funksionon si një befasi lumturuese për çdo anëtar të familjes.

z. Qerim, jeta nuk është vazhdimisht fushë me lule. Besoj edhe ju gjatë jetës keni kaluar momente të vështira. Mund të na tregoni çastet më delikate që keni kaluar në jetë? Si i keni përballuar?

Përgjigjen këtu e ka vetë pyetja juaj në përmbajtjen e saj. Jeta asnjëherë nuk është fushë me lule. As për mua s’ka qenë kurrë e tillë. Vështirësitë kanë qenë prezente në çdo hap. Lodhja ka qenë e skajshme. Orientimi në një botë ku lulëzojnë sëmundje helmbjellëse, tejet i vështirë. Lavdi Zotit, punës së pandërprerë dhe fatit, kemi ndërtuar një jetë modeste që ka si bazë ndershmërinë dhe mirëkuptimin. Në jetën tonë ka pasur edhe çaste delikate që mund të thyheshin në mënyrë të parikuperueshme. Por njëri prej tyre ka qenë tmerrësisht i vështirë. Aksidenti rrugor i Taulantit, futja e tij në koma për gjashtëmbëdhjetë ditë, nuk ishte një dhimbje normale, por një thikë në zemër që rrotullohej e rrotullohej për të na marrë shpirtin. Ishte torturë mbi çdo torturë. Shtrati i spitalit ku qëndronte i lidhur me lloj – lloj tubash për ta mbajtur në jetë, i rrinte ngushtë trupit dhe moshës së tij të re. Nuk e di pse në atë çast m’u duk si shëmbëlltyra e Krishtit. Kam shkruar një poezi shumë të ndjerë për të, që as vetë nuk e lexoj dot. Aty është dhimbja jonë e madhe. Dashuria e pakufishme që i dhamë në momentet më të vështira. U bëmë bashkë të gjithë; prindër, vëllezër, kushërinj, shokë, studentë, kolegë të Taulantit, një stuhi njerëzish që e donin me gjithë zemër dhe këmbëngulnin të mos e kalonte kufirin ndarës. Si prind, e kam ndjerë thellë mbështetjen e tyre. Besimi, optimizmi, dëshira dhe këmbëngulja për të jetuar, e mbi të gjitha, të qenit bashkë në një betejë të vështirë, nuk na lanë të binim, të rrëzoheshim të mundur e të pashpresë. Përkundrazi, fituam të gjithë. Fitoi Taulanti, u bë edhe më i fortë, edhe më i kthjellët, edhe më i sigurt për të marrë e çuar më tej përgjegjësitë e të ardhmes.

-Z. Qerim, a jeni i lumtur?

Lumturia ime është e lidhur ngushtë me lumturinë e të tjerëve, të familjarëve të mi, të të afërmve, të miqve, shokëve dhe më gjerë. Kur ata janë të lumtur edhe unë jam i tillë. Gjithsesi ndihem krenar për çfarë kam arritur deri tani.