Transmetuar më 05-02-2017, 17:26

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, mori pjesë në homazhet që u organizuan në nderim të shkrimtarit të madh, Dritëro Agolli, i cili u nda jeta dy ditë më parë në moshën 85-vjeçare.

Gjatë ceremonisë së zhvilluar në ambientet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë, z. Meta, i cili shoqërohej nga bashkëshortja e tij, znj. Monika Kryemadhi, vendosi një kurorë me lule në nder të figurës së Agollit dhe shkroi një mesazh në librin e ngushëllimeve për shkrimtarin e madh shqiptar.

Më tej, Kryetari i Kuvendit mbajti edhe një fjalë, ku shprehu dhimbjen e thellë për ndarjen nga jeta të Dritëro Agollit, të cilin e përkufizoi si një klasik të letërsisë shqiptare dhe të mendimit.

“Ishte e vështirë për të gjetur fjalët e duhura edhe dikur kur e kishim përballë në tryezë, pavarësisht se në bisedë ofronte modestinë e të barabartit. Fjalët janë të pamundura për të shprehur edhe dhimbjen për ikjen e tij edhe trishtimin për largimin që vendosi të bëjë, por edhe krenarinë për bashkëkohësinë me Dritëroin. Sepse Dritëroi është më shumë se vetëm një poet dhe shkrimtar. Është një klasik i letërsisë shqiptare dhe një njeri i madh i mendimit”, tha z. Meta, duke shtuar se Dritëro Agolli është filozof serioz dhe mjeshtër i humorit, edhe poet edhe romancier edhe eseist, edhe politikan i klasit të parë dhe reformator.

“Ai është edhe Naimi që i këndoi dheut të Shqipërisë, edhe Noli mendjendritur, edhe Lasgushi që drithëronte për dashurinë. Dritëroi është dritë dhe një pikë referimi për të djeshmen, të sotmen dhe të nesërmen tonë e përbashkët. Ishte dera ku trokisnim të gjithë për një mendim të mençur. Ishte miku që e donin me shpirt miqtë dhe që e donin pa kushte kundërshtarët. Dritëroi ishte, është dhe do të jetë reflektimi që erdhi nga e shkuara dhe orientimi ynë për të nesërmen tonë evropiane. Ishte forca e talentit që buron nga populli dhe madhështia e të qenit një njeri i madh dhe i mirë. Shqipëria ishte më e pasur me Dritëroin e saj. Sot ajo është më e varfër me mungesën fizike që e bën sidoqoftë praninë e tij shpirtërore edhe më të fortë”, – u shpreh Kryetari i Kuvendit.

Gjithashtu, z. Meta theksoi se Dritëroi Agolli ka bërë dhe do të bëjë edhe më tej disa breza që të gëzojnë me të, të qeshin me të, të trishtohen me të, të qajnë me të dhe sot të mbajnë zi për të, për këtë klasik të madh mbi të gjitha të shqiptarisë.

“Dhe sot në këtë ikje që dhemb, në këtë ditë kur fjalët janë të vështira për t’u thënë për mjeshtrin e fjalës, kur ai i kthehet dheut që i përkiste si fara që rimbillet në tokë, të gjithë ne e shohim siç është, një nga yjet më të ndritshëm të qiellit evropian të Shqipërisë. Sepse poetët dhe shkrimtarët mbeten gjithmonë”, – deklaroi ndër të tjera z. Ilir Meta.

Fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta

“E dashur Sadije, të dashur Elona, Tani, Ana dhe të gjithë familjarët e Dritëroit tonë të madh!

Të nderuar autoritete dhe qytetarë!

Është një dhimbje shumë e thellë, është një trishtim pa fund për disa breza të cilët ishin lexues të Dritëroit, ishin bashkëkohës të tij dhe do të jenë sërish lexues Dritëro Agollit. Sepse Dritëroi ishte dhe do të mbetet i të gjithëve.

Ishte e vështirë për të gjetur fjalët e duhura edhe dikur kur e kishim përballë në tryezë, pavarësisht se në bisedë ofronte modestinë e të barabartit. Fjalët janë të pamundura për të shprehur edhe dhimbjen për ikjen e tij edhe trishtimin për largimin që vendosi të bëjë, por edhe krenarinë për bashkëkohësinë me Dritëroin.

Sepse Dritëroi është më shumë se vetëm një poet dhe shkrimtar. Është një klasik i letërsisë shqiptare dhe një njeri i madh i mendimit.

Është filozof serioz dhe mjeshtër i humorit, edhe poet edhe romancier edhe eseist, edhe politikan i klasit të parë dhe reformator. Edhe nxënës i urtë i urtësisë popullore, edhe profesor i vyer i vetë profesorëve.

Ai është edhe Naimi që i këndoi dheut të Shqipërisë, edhe Noli mendjendritur, edhe Lasgushi që drithëronte për dashurinë. Dritëroi është dritë dhe një pikë referimi për të djeshmen, të sotmen dhe të nesërmen tonë e përbashkët.

Ishte dera ku trokisnim të gjithë për një mendim të mençur. Ishte miku që e donin me shpirt miqtë dhe që e donin pa kushte kundërshtarët.

Dritëroi ishte, është dhe do të jetë reflektimi që erdhi nga e shkuara dhe orientimi ynë për të nesërmen tonë evropiane.

Ishte forca e talentit që buron nga populli dhe madhështia e të qenit një njeri i madh dhe i mirë. Shqipëria ishte më e pasur me Dritëroin e saj. Sot ajo është më e varfër me mungesën fizike që e bën sidoqoftë praninë e tij shpirtërore edhe më të fortë.

Ky është rregulli, por Dritëroi ynë është një përjashtim i rrallë. Sepse Dritëroi e ndërtoi vetë bronzin e monumentit të tij dhe këtë monument vetjak në bronz dhe në letër ky klasik i letërsisë, i mirësisë dhe i mendimit ia dhuroi përjetësisht gjithë shqiptarëve. Sepse Dritëroi është madhështia e thjeshtësisë.

Në të 85-at e tij, Dritëroi është në piedestalin e mirënjohjes së një populli që e deshi shumë kudo ku jetojnë, gëzojnë, dashurojnë e mendojnë njerëzit e gjakut të tij në shqip.

Sepse Dritëroi ka bërë dhe do të bëjë edhe më tej disa breza që të gëzojnë me të, të qeshin me të, të trishtohen me të, të qajnë me të dhe sot të mbajnë zi për të, për këtë klasik të madh mbi të gjitha të shqiptarisë.

Dhe sot në këtë ikje që dhemb, në këtë ditë kur fjalët janë të vështira për t’u thënë për mjeshtrin e fjalës, kur ai i kthehet dheut që i përkiste si fara që rimbillet në tokë, të gjithë ne e shohim siç është, një nga yjet më të ndritshëm të qiellit evropian të Shqipërisë.

Sepse poetët dhe shkrimtarët mbeten gjithmonë.

Dritërofsh gjithmonë, Dritëroi ynë!”