Transmetuar më 05-02-2017, 16:26

Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, lëshon një akuzë të fortë ndaj kryeministrit Edi Rama, duke thënë se projekti “1 miliard euro” është pastrim parash të ardhura nga kultivimi i drogës vitin e kaluar gjerësisht në vend.

“Projekti 1 miliard euro i shpallur nga Kryeministri është pastrim parash! Kultivimi dhe tregtia e hashashit i paska mbledhur 1 miliard euro, por u duhet një vend për t’i fshehur. Mënyra më e mirë është investimi. Investimi në projekte qeveritare është më i sigurti”, – thotë z.Manjani në një deklaratë që bëri publike të dielën.

Sipas tij, skema tipike e pastrimit të parave që vijnë nga ekonomia e zezë dhe kriminale kërkon një kontratë (shërbim, koncension apo PPP) me qeverinë, një bankë që të jetë garante dhe një shtet të paralizuar (për t’u mbrojtur nga ndjekja penale).

“Oferta në shuma të tilla u vijnë gjithmonë qeveritarëve. Njerëz të ndryshëm me ose pa kravatë shfaqen gjithmonë nëpër zyra ministrash e kryeministrash me ofertën "kam para por dua t’i investoj, mundësisht në Infrastrukturë"”, – pohon z.Manjani duke theksuar se deri më sot qeveritë tona i kanë refuzuar këto oferta sepse ishin pastrim parash.

Kryeministri sot shfaqet jo si refuzues, por si ofertues dhe pranues i ofertës së vet, – vijon qëndrimi i ish ministrit. Kështu ndodh vetëm kur je vetë edhe në krye të parave edhe në krye të qeverisë!, – vazhdon ai.

Për Manjanin, jo pa qëllim u shpall tani kjo nismë. “Tani që i mbaroi misioni i FMN qeveria i ka duart e lira të marrë borxhe jashtë sistemit të borxhit publik. Koncesionet janë borxhe të pastra për shtetin dhe shoqërinë, por qeveria nuk i regjistron si borxh menjëherë”, – shpjegon ai.

“Tani i mblodhën paratë e gati tre viteve aktivitet informal e kriminal të kultivimit dhe tregtimit të hashashit, por edhe aktiviteteve të tjera të paligjshme. Thuajse askush nuk u dënua apo iu sekuestrua pasuria! Vetëm viktima të krimit dhe disa malësorë lazaratas janë shumë pak për të provuar suksesin imagjinar të Kryeministrit në luftën kundër drogë”, – vijon kritikat dhe akuzat e ashpra z.Manjani. Ai shton se drejtësia në këtë rast nuk është 100% fajtore, sepse shumë pak nga ata që u kapën i shpëtuan dënimit. “Trafikantët e vërtetë vetëm u pasuruan dhe tani janë gati të investojnë”, – paralajmëron ish ministri nga radhët e LSI.

Për Manjanin, sulmi me qëllim bllokimin e Prokurorisë synon në thelb të garantojë siguri për investitorët "trafikantë" që nuk do ketë hetime kur paratë të fillojnë të dalin në sipërfaqe.

“Tani duhet një projekt i tillë edhe për "tu gjetur punë" bankave që prej vitesh tashmë rropaten për të mbyllë bilancet e tyre vjetore pozitivisht. Sigurisht tani në prag të zgjedhjeve duhet ky projekt, i cili përdoret për qëllime populiste për të fituar zgjedhjet”, – vlerëson ish ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.

Për zyrtarin e lartë të LSI, çështja është se me këtë mënyrë edhe të tjerë përpara i kanë fituar zgjedhjet. “Me skemat piramidale u fituan zgjedhjet e 1996, por vetëm një vit më pas ndodhi hataja”, – paralajmëron z.Manjani.

“Shqiptarët nuk mund t’i lajnë borxhet trafikantëve, njësoj si kreditorëve seriozë të derisotëm”, pohon Manjani, duke sugjeruar në fund: “Si fillim nuk duhet të largohet FMN…”. /a.b/noa.al/