Transmetuar më 05-02-2017, 09:25

Ish kryeministri dhe kryetari aktual i AAK-së (Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës), Ramush Haradinaj, shpërndau në mesazh për shqiptarët duke i njoftuar se së shpejti do të jenë bashkë sepse do të kthehet në Kosovë.

Shumë protesta janë organizuar kundër arrestimit të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili po mbahet në Francë pas një urdhër-arresti të Serbisë.

“Mbështetja kaq e madhe e kaq e shtrirë dhe e pandërprerë për asnjë moment për mua, është mbështetje dhe qëndrueshmëri, jo veç për mua, por për të drejtën tonë të përbashkët, që është krejt e përputhshme me të drejtën e drejtësinë individuale e kolektive, për të gjithë popujt e lirë!”, – thotë Haradinaj përmes një postimi në Facebook ku ka falënderuar qytetarët për mbështetjen që i kanë dhënë.

"E kam parë tash e një muaj karvanin e popullit tim që nuk sosej kurrë, e që marshonte në Prishtinë e në Tiranë, në Shkup e në Gjakovë, në Prizren e Malishevë, në Istog e në Podujevë, në Obiliq e Rahovec, në Vushtrri e në Deçan, në Kamenicë e në Lipjan, Ferizaj… e kështu me radhë gjithandej e deri sot me protestën e madhe në Pejë!”, – vijon mesazhi.

“Po ashtu mijëra bashkëkombas që kanë protestuar me aq qytetari, që nga Amerika, Australia e deri te shtetet evropiane, Francë, Angli, Belgjikë, Zvicër, Gjermani, Itali… Kur një popull është në këmbë, ai e di që është në të drejtën e tij, siç jemi të gjithë ne edhe këtë herë! Shpejt do të jemi bashkë, sepse kemi shumë punë për të bërë! Krenar me ju!”, shkruan Haradinaj në reagimin e tij.