Transmetuar më 04-02-2017, 19:30

Nga Blendi Fevziu –

Dritëro Agolli nuk jeton më! Ai u largua nga kjo botë dje, me po atë lehtësi dhe po atë shpërfillje që e kishte trajtuar vdekjen në poezinë e tij. Iku duke marrë me vetë një jetë të trazuar dhe duke lënë këtu, një vepër me të cilën do ta gjykojmë edhe shumë vite pas kësaj.

Poet, Shkrimtar, Gazetar, njeri politik dhe mbi të gjitha njeri i angazhuar, Dritëro Agolli ka lënë gjurmë në shoqërinë shqiptare së paku në 6 dekada. Që nga fundi i viteve ’50 dhe deri dje që u nda nga jeta, ai ka luajtur një rol të ndjeshëm për shqiptarët.

Agolli i takon së bashku me Ismail Kadarenë, Fatos Arapin dhe disa të tjerë, një brezi shkrimtarësh që transformuan krejtësisht letërsinë shqipe të bukosur nga socrealizmi dhe mediokriteti i viteve 40 – 50. Siç ndodh me brezat që shkëlqejnë papritur dhe gjatë, ky brez, vijoi të dominojë krijimtarinë letrare shqiptare me dekada. Sot mund të themi pa ndonjë sforcim se këta emra vijojnë të mbeten ikonat e letërsisë shqipe dhe emrat më të lexuar në Shqipëri, por edhe shqiptarë jashtë kufijve tanë. Asnjë brez i mëpasëm nuk ka arritur as famën dhe as lexueshmërinë e tyre.

I etiketuar kryesisht si një poet; i shquar për lirikën dhe satirën në vargje, Dritëro Agolli ishte po kaq interesant si prozator. Libri i tij me tregime “Zhurma e erërave të dikurshme” është padyshim një nga përmbledhjet më cilësore të prozës shqipe.

Agolli ishte një gazetar i njohur dhe e ushtroi këtë profesion për shumë vite. Ai ka shkruajtur skenare filmash dhe dokumentarësh.

Agolli ishte një njeri politik. Që nga ardhja në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë në vitin 1973 dhe derisa regjimi ra më 1991 ai ishte deputet dhe anëtar i Komitetit Qëndror të Partisë së Punës.

Më 1991 dhe për 14 vjet me rradhë ai ishte deputet i Partisë Socialiste në Parlamentin Pluralist dhe luajti një rol në tranzicionin e vështirë drejt shoqërisë së lirë.

Si të gjithë njerëzit që jetuan, punuan dhe krijuan në diktaturë, Agolli ka pasur dhe do ketë gjithnjë kontestimet dhe kritikët e tij. Kritikat si kanë munguar në vite dhe ai është përgjigjur gjithnjë vetë. Por sot, 26 vjet pas rënies së atij regjimi, mund të thuhet se Agolli nuk ka qenë kurrë as një fanatik dhe as një militant i atij regjimi. Siç shprehet edhe Kadare në kujtimet e tij, Agolli ishte nga ata njerëz që shumë herët fliste kundër regjimit, që i njihte dhe kritikonte format represive të tij. Por çdo gjë matet me vepra dhe politikisht Agolli ka lënë një vepër të cilës i referohemi gjithnjë. Në Qershor 1991, ai ishte i pari dhe i vetmi që u ngrit publikisht kundër kultit të Enver Hoxhës në Kongresin e X të PPSH. Gjesti dhe shikimi i tij ndërsa salla reagonte kundër, janë fiksuar tashmë në historinë e Shqipërisë.

Njeriu nuk mund të hyjë në histori çdo moment, por ka gjithnjë një moment që ai ngelet aty dhe ky ishte momenti që historia s’do t’ja harrojë kurrë Dritëro Agollit.

E kam njohur mjaftueshëm Dritëro Agollin, por asnjëherë deri në atë pikë sa të mund të flas saktësisht për të si për një mik. Ishte njeri i gjallë, një dashnor i madh i pijes dhe i jetës. Një njeri që donte të jetonte; që vdekjen edhe në librat e tij e paraqiste si një të keqe që do dinte ta dehte në ditën që do ti dilte përballë. Ajo që i binte gjithnjë në sy ishte tallja me teprimin. I mëshironte budallenjtë, por si durone dot megallomanët. I pëlqenin ata që i flisnin për veprën e tij, por e lodhnin ata që thurnin ditirambe. Ndërsa lexoja mbrëmë statuset e fryra në rrjetet sociale isha gati i bindur që nëse do kishte mundësi t’i shihte; nëse një sekondë të vetme do rikthehej në këtë jetë gjeja e parë që do bënte ishte ironia me veten. Do t’i thurte vetes dy tre rreshta për ta çtensionuar situatën që me aq mjeshtri shumica dinë ta tensionojnë.

Por padyshim ai s’mund të bëjë asgjë nga këto. Ai iku, ashtu siç jetoi. Një njeri i lirë dhe buzagaz. Iku duke lënë pas një vepër dhe një boshllëk. Po atë boshllëk që lë ikja e çdo intelektuali në këtë vend që njerëzit e zot i ka kaq të rrallë. Iku duke marrë me vete protagonizmin e 60 viteve. Iku ashtu si një personazh i mrekullueshëm i tiji, Kapedani tek novela: “Lamtumirë kapedani im”. Ndaj, nuk gjej asnjë frazë më të mirë për të shoqëruar udhëtimin e tij në atë botë për ku u nis dje, veç duke përsëritur sërish fjalët e tij:

“Lamtumirë kapedani im”…