Transmetuar më 04-02-2017, 13:31

Tre minatorë kanë mbetur të lënduar si pasojë e shpërthimit të gazit metan në galeri gjatë punimeve.

Ngjarja ndodhi ditën e sotme, rreth orës 13.30, në Minierën e Kromit në Bulqizë ku raportohet se ka ndodhur një shpërthim gazi metan.

Shpërthimi ka ndodhur në nivelin 21 të minierës, në seksionin e punimeve për pusin e ri, 1000 metra në thellësi të saj.

Aktualisht në këtë seksion punon kompania kineze "Xian Engineering", e kontraktuar nga AlbChrome, nga ku bëhet me dije se ky shpërthim ka shkaktuar tre punonjës të plagosur, shtetas kinezë.

Njoftohet se minatorët e plagosur janë dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të qytetit dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Nga pala shqiptare nuk ka persona të lënduar, ndërsa po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. /b.l/noa.al/