Transmetuar më 02-02-2017, 23:42

Politikat e paorganizuara të emigracionit i dëmtojnë të gjithë. Këtë bindje ndan një ish-emigrant i paligjshëm në Itali, i kthyer në jurist, e që sot aspiron Bashkinë e Parmës. Ai është shqiptar dhe quhet Gentian Alimadhi.

Për intervistuesin Giuseppe Terranova, Alimadhi përbën në fakt të gjithë risinë e këtyre zgjedhjeve.

Pyetja e parë që gazetari drejton është se, si ka mundësi që një njeri i ardhur me anije arriti të kthehej në një profesionist të suksesshëm, e ndoshta edhe në një politikan.

“Shpesh ia bëj vetes një pyetje të tillë, -përgjigjet shqiptari, – por një gjë është e sigurtë; vullneti i fortë dhe dëshira për të bërë përpara kanë luajtur rol të madh. Secili prej nesh vendos se cilat do të jenë objektivat e tij në jetë dhe, kur i realizon, atëherë gjen gjithmonë diçka të re për të synuar”.

“Në fillim, – rrëfen ai, – më ishte kthyer në mani leja e qëndrimit. Kur e sigurova më në fund, falë punës që gjeta në një fabrikë, vendosa të marr diplomën e shkollës së lartë në Itali. Me diplomën në duar zgjodha të shoh më lart, të bëhesha avokat. Por vendimi për t’i hyrë garës për Bashkinë e Parmës është sfidë e një tjetër lloji, sepse nuk ka të bëjë me vullnetin tim personal. Ai është rezultat i besimit që kanë shfaqur shumë njerëz tek unë, burra dhe gra, të cilët janë të bindur se për vlerat e së majtës – solidaritet, barazi, mikpritje, – ia vlen të luftohet”, thotë Alimadhi.

Në Itali është propozuar së fundi një ligj, mbi të cilin azilkërkuesve do t’iu lejohet pjesëmarrja në punë të dobishme për shoqërinë, shkruan TCH. Mësimi i gjuhës, – siç sqaron juristi shqiptar, – është i një rëndësie kyçe.

Ai mendon se formula do të ishte pozitive si për pretendentët e azilit, që do të kenë mundësinë e një punësimi dinjitoz, ashtu edhe për garantimin e një kontrolli mbi masën e emigrantëve, i cili të respektojë individin.