Transmetuar më 02-02-2017, 12:59

Kongresi amerikan, kërkon shkarkimin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhes Bejli, nga pozicioni i tij në Maqedoni.

Gjashtë kongresimenë republikanë kanë nënshkruar një letër, të cilën ia kanë dërguar Sekretarit Amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, duke i kërkuar shkarkimin e ambasadorit të SHBA Shkup, duke e akuzuar për bashkëpunim me fondacionin e George Sorosit.

Kreu i kongresmenëve republikanë, Christopher Smit, paralajmëron hetim për politizimin e rolit të ambasadës amerikane në Maqedoni dhe i bëri thirrje sekretarit të sapoemëruar të shtetit, Rex Tillerson, që ta shkarkojë ambasadorin Xhes Bejli.

Kjo kërkesë vjen pasi kongresmenët republikanë, i kanë kërkuar shpjegim ambasadorit Bejli, për akuzat se ambasada e SHBA në Shkup po punon në dobi të partive politike dhe financon projekte të fondacionit të George Sorosit në Maqedoni, por ai nuk u është përgjigjur letrës së tyre.

“Ambasadori amerikan nuk guxon të ketë rol në formimin e qeverisë dhe të marrë anë gjatë formimit të koalicionit. Ai nuk është vend i SHBA as i përfaqësuesve amerikanë në Shkup. Ne, si grup kongresmenësh, parashtruam pyetje konkrete në këtë letër se nëse ka pasur ose jo bashkëpunim ambasada me partitë majtiste në zgjedhje. Duhet të jemi për zgjedhje të lira dhe korrekte, por në asnjë mënyrë nuk guxojmë të mbajmë anë. Ky ambasador ka mbajtur anë dhe duhet të shkarkohet menjëherë”, tha kongresmeni Smit për Radio Televizionin e Maqedonisë.