Transmetuar më 02-02-2017, 08:46

Nga Damian Gjiknuri

Bursa e Energjisë është një proces jashtëzakonisht i rëndësishëm i nisur kohë më parë dhe që ecën paralel më zhvillimet e tjera që kanë ndodhur në sektorin elektroenergjetik. Pra, është një stacion i nevojshëm në vazhdim të asaj që ka ndodhur këto 3 vitet e fundit dhe asaj që pritet të ndodhë në rrugëtimin tonë drejt reformimit të sektorit elektroenergjetik, konsolidimit të tij dhe mundësive të reja që hapen me këto zhvillime që kanë ardhur. Kuptohet, disa vjet më parë do të ishte absurde që të flitej për këto zhvillime nisur nga fakti që në çfarë gjendje ishte sektori elektroenergjetik, një sektor i cili më shumë ka qenë një gropë e zezë për ekonominë shqiptare dhe në një falimentim të plotë. Në sajë të gjithë atyre masave të forta dhe efektivitetit të reformës që ndërmori qeveria, tashmë likuiditeti është shtuar dhe sektori ka krijuar stabilitet financiar.

Ky është hapi i parë i domosdoshëm për të folur për reformat, për të folur për investimet, për të folur edhe për reforma rregullatore që shkojnë në kahun e zhvillimeve europiane. Pa siguruar likuiditet financiar dhe pa pasur një disiplinë financiare në tregun elektroenergjetik, të gjitha këto gjëra do të ishin absurde, madje do të ishin thjesht premtime në letër dhe asnjë njeri nuk do të mendonte që këto do të zhvilloheshin. Por, kuptohet se stabiliteti financiar, domosdoshmëria e parë është themeli ku mund të ngrihet çdo reformë.

Nga ana tjetër, reforma ka implikimet e veta. Vetë liberalizimi e ekspozon Shqipërinë edhe në gjërat të panjohura. Realisht, kujdesi qeverisë duhet të jetë shumë i madh por njëkohësisht edhe informimi i të gjithë partnerëve që janë në sektorin elektroenergjetik duhet të jetë i tillë që të mundësojë që ata me kohë të kuptojnë avantazhet, benefitet dhe kostot që mund të sjellë çdo lloj reforme. Pikërisht, edhe ky aktivitet këtë ka qëllim që të komunikojmë me njëri-tjetrin në mënyrë që të kuptojmë edhe hapat e vështira që na presin, por njëkohësisht edhe avantazhet dhe mundësitë që krijohen për të gjithë partnerët në sektorin elektroenergjetik.

Kuptohet unë fola pak më parë për reformat, edhe investimet që po kryhen, nuk dua ti theksoj shumë meqenëse jam përfaqësues qeverie dhe të themi për gjithë ato gjëra të mira që janë bërë, nuk dua ti them. Se pa u bërë ato do të ishte e pamundur krijimi i një tregu energjetik. Liberalizmi i sapofilluar, dalja e klientëve të parë, ajo çështja e afatit që ju thatë është diçka që jemi duke e adresuar, përfshirë edhe masat e nevojshme që duhet të ketë konsumatori i cili e ka të pamundur të furnizohet me energji elektrike nga furnizuesit privat, ai do të ketë një farë sigurie që do të thotë kthimin në shoqërinë publike e cila ka mbulimin universal me furnizim energjie, pra do të kemi mundësinë që ata të furnizohen aty. Kjo masë do të ekzistojë dhe ne nuk do ti ekspozojmë aktorët të cilët do të dalin në treg ndaj masave të paparashikueshme apo që mund të sjellin probleme me furnizimin me energji elektrike. Kjo gjë duhet të jetë e qartë dhe besoj do të sqarohet edhe në një aktivitet tjetër që ne kemi ndërmend të zhvillojmë.

Nga ana tjetër, kur fola pak për investimet, që të arrihet krijimi i bursës kjo duhet të shkojë në paralel me të gjitha ato ndërmarrje të suksesshme që kemi filluar. Duhen disa kushte sipas mendimit tim dhe kjo është një gjë për tu debatuar, por të paktën të themi çfarë kemi parë edhe nga vendet e tjera që i kanë të implementuara. Kuptohet, duhen elementë rregullatorë shumë të fortë, por le të themi që ky është një proces që po krijohet. Ministria e Energjisë ka përgatitur bazën e nevojshme ligjore dhe është duke e diskutuar, do fillojë edhe diskutimin me aktorët e interesuar për çuarjen e tij në Parlament, që të krijojmë bazën e nevojshme për Bursën Shqiptare të energjisë. Ky proces është kryer në bashkëpunim edhe me ndihmën e IFC-së, me konsulentët që janë të përfshirë në këtë proces. Mendoj që do të jetë baza e nevojshme për fillimin të paktën nga pikëpamja juridike të krijimit të bursës.

Nga ana tjetër duhen edhe disa kushte shumë të rëndësishme. Një pjesë e volumit të energjisë që do të jetë në treg do të kërkohet nga biznesi privat, pra do të thotë se procesi i liberalizmit nuk duhet të ndalet. Po nuk pati një proces liberalizimi nuk do të ketë nevojë as për një treg të shumicës të energjisë elektrike. Njëkohësisht, nuk duhet të ndalet as prodhimi i mëtejshëm i energjisë elektrike. Shqipëria këto mundësi e potenciale që ka, mundësitë e saj hidrike por edhe mundësi të tjera që shumë shpejt do të krijohen, të fillojnë të jenë një volum i shtuar. Volum i cili mund ti shërbejë kësaj Burse sepse kjo bursë do disa volume energjie të pranueshme. Mendoj që politika e qeverisë është për vazhdimin e nxitjes së shtimit të prodhimit në vend dhe vazhdimi i politikës sonë të matur tashmë të koncesionimit. Pse them të matur?! Të matur, të përfshira plotësisht në një kosto e cila vërtet reflektohet siç duhet në tarifat e blerjes së energjisë dhe nuk shkakton dëme. Pra nuk shkakton hendeqe financiare nga politika të pamenduara siç ka ndodhur vite më parë, që gjunjëzuan sistemin nga pikëpamja financiare. 

Prandaj dhe ligji i ri i energjive të rinovueshme, i cili shumë shpejt do të kalojë në Parlament, pikërisht këtë ka marrë parasysh. I siguron investitorët tek ato investime që kanë sens, pra që janë eficiente nga pikëpamja energjetike. Do të mund të financohen dhe do të kenë mundësi për kthimin e kapitalit mbrapsht, do të thotë që Shqipëria do të ketë mundësi të prodhojë energji shtesë dhe kjo do të jetë një benefit për bursën.

Nga ana tjetër, projektet e qeverisë janë për të nxitur prodhuesit e mëdhenj të energjisë pa incentivime dhe kjo është një masë tjetër e cila shkon paralel me Bursën. Procesi i liberalizimit, kërkesa që do të ketë sektori privat dhe nesër edhe pjesa tjetër e konsumatorëve kur të arrijmë atë maturim të nevojshëm, ku të gjithë konsumatorët do të jenë të ekspozuar ndaj çmimeve të liberalizuara, do të bëjë që të ketë kërkesë për energji. Pikërisht mundësitë që ka Shqipëria me rezervat e saj dhe me një prodhim relativisht të lirë, do të bëjë që biznesi privat, investimet e tyre do ti ketë të sigurta në një treg të qëndrueshëm.

Një element i rëndësishëm janë investimet publike në sektorin elektroenergjetik. Tashmë ne kemi arritur një rekord investimesh këto vite e fundit. Kemi siguruar për të paktën këto 4 vjet se do të investojmë mbi 420 milion euro, përfshirë edhe linjat e interkonektivitetit në sektorin elektroenergjetik. Pse është e nevojshme? Pa infrastrukturë elektroenergjetike edhe këto të tjerat janë ëndrra. Pikërisht, këto investime janë një hap tjetër i nevojshëm që bën të mundur krijimin e tregut të energjisë elektrike në konceptin që ne duam ta promovojmë sot. Këto masa ecin paralel dhe nuk duhen parë të shkëputura, qoftë investimet në energji, qoftë masat për incentivimin e sektorit privat, por gjithmonë me norma të arsyeshme. Hapat që po ndërmarrim për krijimin e tregut e energjisë do bëjnë që të krijohen të gjitha kushtet që të kemi vërtet një treg të mirëfilltë të energjisë elektrike në Shqipëri. Shqipëria ka mundësi që dhe me Kosovën e Malin e Zi të jetë një mundësi potenciale, të jetë një hapësirë energjetike ose të themi një treg dhe bursa shqiptare mund t’iu shërbejë edhe këtyre vendeve. Normalisht, ne duhet ta ndjekim këtë proces që te jemi nga pionierët e arritjes në këtë drejtim, pasi ndryshe do të humbin rastin historik.

Ngrihen edhe disa pikëpyetje. Unë jam nga funksionarët publikë që normalisht nuk dua të shikoj vetëm dinamikën që sjell sektori privat apo interesi që mund të ketë liberalizimi i tregut. Ka edhe pikëpyetje të mëdha nisur nga shqetësimet që janë hasur edhe nga implementimi i reformës në vende të tjera. Qeveria duhet të jetë e kujdesshme dhe duhet të shohë një proces jashtëzakonisht të ekuilibruar të arritjes së këtyre objektivave. Gjëja e parë që më vjen në mend dhe që normalisht ka qenë këshilla e shumë njerëzve transparenca dhe llogaridhënia e këtij tregu energjetik. Ka shumë rëndësi që Bursa që do të krijohet të ketë mekanizma të nevojshëm kontrolli dhe transparence që bëjnë të mundur që nuk do të kemi probleme që mund të kenë hasur vende të tjera.

Këto janë probleme serioze të cilat ne po i adresojmë së bashku me konsulentët dhe me eksperiencën që kanë hasur vendet e tjera. Logjika është që tregu i liberalizuar dhe një bursë funksionale e energjisë elektrike çon në uljen e çmimeve të energjisë elektrike me shumicë. Do të thotë, të gjithë konsumatorët përfitojnë, nuk do të ketë më nevojë shteti në mënyrën siç e bën sot apo vetëorganizimi i sektorit elektroenergjetik, ku në njëfarë mënyre, ta themi haptazi këtu, janë konsumatorët industrialë të cilët le të themi financojnë konsumatorët familjarë. Tani kemi një energji që familjarëve ju shitet nën kosto për ato arsye politike që dihen apo për një stabilitet që Shqipëria e meriton për shkak edhe të fuqisë ekonomike që ka konsumatori shqiptar.

Pikërisht, për të bërë kosto më të ulta të tregut me shumicë të energjisë elektrike, kjo do ketë mundësi të reflektohet edhe në tarifat e konsumatorëve. Do të thotë se nuk do të ketë destabilitet apo shqetësim nga të gjithë konsumatorët familjarë përsa i përket tarifave të energjisë elektrike. Ky është thelbi i problemit. Kudo ku është krijuar tregu i organizuar, ka pasur një rënie të çmimit të energjisë elektrike. Këto mekanizma që ju thashë duhet të jenë funksional, mekanizmat monitorues dhe llogaridhënës. Pikërisht këtu qëndron dhe çelësi apo synimi pse duhet ta kemi këtë treg. Ka shumë mundësi që ne të kemi çmime më të lira të shumicës së energjisë elektrike. Të kemi transaksione më transparente, likuiditet më të shtuar, kuptohet kjo duke ecur paralel edhe me liberalizmin e tregut të energjisë dhe mundësi të reja për investime për aq sa ato investime janë vërtet të kthyeshme, që janë eficente. Shqipëria ka qenë dëshmitare e investimeve jo eficiente në fushën e prodhimit të energjisë elektrike.

Nëse do ti rreshtoja të gjitha këto arsye, mendoj se Shqipëria po hedh hapin e duhur. Në planet tona si qeveri, brenda mesit të këtij viti ne ta kemi bazën e plotë ligjore të krijimit të tregut të energjisë elektrike. Pastaj do duhen masa të tjera institucionale, përfshirë edhe këto mekanizma që unë thashë, mekanizmat e kontrollit, mekanizmat e llogaridhënies në mënyrë që tregu, besoj në vitin 2018 të jetë funksional. Është vërtet ambicioz si afat sepse vendeve të tjera i është dashur më shumë kohë, por në fund të fundit nuk ka asgjë të keqe për të rendur drejt një ambicie të lartë. Ambicie të forta kishim edhe me reformën në sektorin elektroenergjetik, edhe me masat që morëm në vitin 2014 ku shumë pak njerëz besonin që ai sektor do të vihej në kontroll. Ja që dita e solli që ai sektor të jetë ndër kontribuuesit më të mëdhenj sot të ekonomisë shqiptare, një sektor që e frenoi rrjedhjen e Buxhetit të Shtetit, hemorragjinë që kishin kapur financat publike, ku vetëm në vitin 2013 mbi 23 miliard lekë, pra rreth 200 milion dollarë të taksapaguesve shqiptarë në vend shkonin për të mbyllur gropat, keqmenaxhimin e sektorit elektroenergjetik. Sot që flasim, sektori elektroenergjetik jo vetëm që nuk ka kërkuar financime shtesë nga Buxheti i Shtetit, por përkundrazi është kthyer në një taksapagues të rregullt dhe kontribuues direkt, gjë që bëri të mundur edhe ato arritje të mira në fushën sociale siç ishte rritja e rrogave dhe pensioneve dhe shumë arritje të tjera që i shërbejnë publikut të gjerë.