Transmetuar më 02-02-2017, 00:03

Ka përfunduar në Bruksel takimi ndërmjet delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë.

Por, pas përfundimit të takimit askush nga asnjë delegacion nuk ka dhënë ndonjë deklaratë.

Dy delegacionet janë larguar nga ndërtesa e Bashkimit Evropian ku patën takimin pa asnjë deklaratë për media. 

Për të mos u prononcuar për mediat kishte një marrëveshje, pasi herën e kaluar liderët patën dhënë deklaratë dhe kishin marrë vërejte nga Brukseli.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, para takimit të përbashkët ka mbajtur takime të ndara me delegacionet.

Ky është takimi i dytë në nivel presidentësh.

Përveç kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe atij serb, Aleksnder Vuçiq, ka marrë pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Tomisllav Nikoliq.

Pas ndërmjetësimit të takimit, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini ka thënë se të gjithë pjesëmarrësit kanë rikonfirmuar vendosmërinë e tyre të plotë për të bashkëpunuar në kuadër të Dialogut.

Ajo ka theksuar se diskutimi i zhvilluar ka qenë i sinqertë dhe konstruktiv.

“Jam e inkurajuar nga angazhimi konstruktiv i treguar nga të dyja palët. Ky angazhim dhe vullnet politik i kontribuon shumë reduktimit të tensioneve dhe ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë frymë”, ka thënë Mogherini.