Transmetuar më 01-02-2017, 21:20

Kantautori Alban Skënderaj ka ndarë në Facebook, trajtimin jo të mirë sipas tij që i bëhet shqiptarëve përgjatë fluturimeve.

Ai ka shkruar se si shqiptarët trajtohen sipas tij në aeroport gjatë udhëtimeve ajrore.

Duke iu referuar fluturimit Firenze – Tiranë të ditës së sotme, Skënderaj e konsideron si të papranueshëm faktin që sipas tij, në mënyrë të përsëritur fluturimi bëhet me tranzit shtesë.

Për Skënderajn, këto janë lojëra ekonomike, sipas tij, në kurriz të shqiptarëve.

Lidhur me shqetësimin e shprehur nga Alban Skënderaj, NOA kërkoi shpjegime pranë aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas.

“Duke qenë se pista është e shkurtër, pilotët e avionëve e shohin të arsyeshme që për sigurinë e pasagjerëve dhe ekuipazhit të mos kryejnë ulje në këtë aeroport nëse moti është problematik, mjegullë e pranishme, shikueshmëri e ulët si dhe lagështi në pistë dhe zgjedhin një aeroport tjetër alternativ”, - i tha NOA-s, një ekspert i fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.

Eksperti ilustron me shembuj të tjerë ku shpesh në aeroportin e Prishtinës anulohen ose shtyhen dhe devijohen fluturimet në Tiranë.

Gjithashtu problem më vete është dhe fakti që aeroporti i Firences është i vogël dhe për avionët e mëdhenj kjo përbën shqetësim të shtuar.

Në këto kushte pjesa më e madhe e avionëve të çdo lloj kompanie, detyrohen të mos ulen në këtë aeroport duke parë si prioritare sigurinë e pasagjerëve.

“Këto masa merren thjesht dhe vetëm për sigurinë e pasagjerëve. Në të vërtetë ka kosto të rëndësishme shtesë për kompanitë e fluturimeve që detyrohen të marrin masa të tilla për transportimin e pasagjerëve të tyre”, - shton eksperti i fluturimeve ndërkombëtare në Rinas. /noa.al/