Transmetuar më 01-02-2017, 11:57

Uashington, 1 shkurt 2017, NOA.al- Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore aprovoi një hua për Zhvillimin e Politikave të Konkurrueshmërisë në shumën prej 70 milionë dollarësh për Republikën e Shqipërisë. 

Ky projekt mbështet reformat që synojnë të rrisin konkurrueshmërinë e vendit nëpërmjet përmirësimit të regjimit të investimeve, bërjes më të lehtë të aktivitetit të biznesit dhe lehtësimit të tregtisë.

Qeveria po zbaton një program reformash që synojnë integrimin në rrafsh ndërkombëtar dhe rritjen e produktivitetit ekonomik. Projekti i ri mbështet këtë program reformash në tri fusha kryesore për përmirësimin e konkurrueshmërisë së Shqipërisë.

Fusha e parë synon formimin e kuadrit të politikave për investimet dhe përfshin masa për një ligj gjithëpërfshirës të investimeve për investitorë vendas e të huaj duke krijuar një mekanizëm ankimues për investitorët dhe ruajtjen e investimeve. Fusha e dytë përqendrohet në përmirësimin e procesit të dhënies së lejeve të ndërtimit, sigurimit të elektricitetit, lejes për biznes si dhe plotësimin e mangësive që lidhen me cilësinë e infrastrukturës kombëtare.

Fusha e tretë mbështet lehtësimin e tregtisë dhe logjistikës. Kjo fushë përfshin masa për thjeshtëzimin e procedurave të zhdoganimit në pikat doganore kufitare, përmirësimin e menaxhimit të rreziqeve që lidhen me produktet ushqimore dhe pakësimin e pengesave në Portin e Durrësit.

Këto masa plotësojnë reformat makrofiskale dhe strukturore në vazhdim dhe mbështeten në frymën reformuese që kërkon të orientojë ekonominë drejt investimeve në sektorin privat dhe eksporteve. Ndërsa Shqipëria ka bërë një progres të dukshëm në renditjen globale të raporit “Të bërit biznes 2017”, nevojitet progres i mëtejshëm dhe më i shpejtë për t’i mundësuar vendit arritjen e qëllimit të një klime sa më të mirë biznesi.

“Pas stabilizimit të ekonomisë, është shumë e rëndësishme që tani Shqipëria të ketë edhe kuadrin e duhur ligjor për investitorët dhe një mjedis sa më miqësor për biznesin në mënyrë që të tërheqë dhe mbajë investime që sjellin rritje më të shpejtë dhe vende pune të krijuara nga sektori privat, veçanërisht për të rinjtë dhe gratë,” tha Tahseen Sayed, menaxhere e Bankës Botërore për Shqipërinë.

Ky projekt do të ndihmojë në përshpejtimin e procesit të integrimit në BE dhe rritjen e mundësive që rrjedhin nga marrëveshjet e Shqipërisë me Organizatën Botërore të Tregtisë.

“Shqipëria zotëron disa pika të forta që mund t’i përdorë në këtë drejtim, tha Feyi Boroffice, bashkëdrejtuese e ekipit të projektit të Bankës Botërore.

“Këto asete përfshijnë një popullsi të arsimuar dhe me aftësi përdorimi të internetit, afërsinë me bllokun më të madh ekonomik të botës, dhe kosto të ulët të punës. Vendndodhja gjeografike e Shqipërisë mund të lehtësojë integrimin në zinxhirin prodhues rajonal dhe global, siç janë bujqësia dhe tekstilet. Ky projekt do të mbështesë përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë në ekonominë globale dhe do të ndihmojë ekonominë e vendit të ketë një klimë biznesi më miqësore për të patur një rritje gjithëpërfshirëse me ritme më të larta,” tha Wolfgang Fengler, bashkëdrejtuesi ekipit të projektit të Bankës Botërore.

Projekti i Politikave Zhvillimore për Konkurrueshmërinë është një hua e BNRZH me një periudhë pa shlyerje principali prej 5 vjetësh dhe afat shlyerjeje të huasë prej 25 vjetësh.

Që kur Shqipëria u bë pjesë e Bankës Botërore më 1991, vendi ka përfituar 89 projekte me një vlerë prej 2.55 miliardë dollarësh amerikanë në formën e kredive dhe granteve nga Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim, dhe huave nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim.