Transmetuar më 31-01-2017, 13:23
Publicitet

Shqipëria renditet ndër ekonomitë në tranzicion, ku rreth 48% e qytetarëve të anketuar mund të përballojnë marrjen e një jave pushimi.

Raporti i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) “Jeta në Tranzicion” bën një renditje të vendeve që merren në analizë dhe ku të anketuarit raportojnë se mund të pushojnë minimalisht një javë jashtë vendit ku banojnë, qoftë edhe në një shtëpi të dytë.

Sipas studimit, përqindja më e lartë e atyre që mund të përballojnë pushime jashtë gjenden në Rusi (68%), të ndjekur nga Sllovenia, Estonia dhe Polonia.

Në anën tjetër, gjenden vendet me përqindje të ulët që janë Armenia, Azerbajxhani, Gjeorgjia dhe Taxhikistani, ku më pak se 20% e të anketuarve raportojnë se mund të përballojnë pushime jashtë shtëpisë.

Në tërësi, përqindja e përballimit mbetet më e ulët se në shtetet e Europës Perëndimore si në Gjermani (79%) apo në Itali (61%).

Në studim merret në analizë edhe konsumi i një vakti me bazë peshku ose mishi në çdo dy ditë. Këtu Shqipëria ka një përqindje më të lartë e që është rreth 65.5%, shkruan ‘Monitor’.

Vende të tilla si Armenia, Azerbajxhani, Gjeorgjia, Kosova, Taxhikistani dhe Turqia kanë një përqindje më të ulët përballimi në më pak se 50%.