Transmetuar më 31-01-2017, 11:36

Tiranë, 31 janar 2017, NOA.al- Kryeministri Edi Rama prezantoi sot programin 1 miliardë dollarë, “One billion project”, nga ku tha se nëpërmjet tij jepet zgjidhje për disa probleme në infrastrukturën rrugore kombëtare, të zonave turistike dhe jo vetëm.

Ai deklaroi se pjesë e programit është dhe Eruga e Arbrit për të cilën informoi se ka nisur procedura dhe është projekti i parë që përfshihet në këtë program.

“Synojmë që me këtë program të adresojmë disa probleme të rëndësishme të infrastrukturës rrugore nacionale, të adresojmë po ashtu nevojën për të përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën e zonave turistike. Pjesë e këtij programi është edhe rruga e Arbërit për të cilin kanë nisur procedurat. Synojmë të financojmë përmirësimin e infrastrukturës në zonat me zhvillim intensive bujqësor dhe kur vjen fjala tek arsimi ky program ka një rëndësi themelore, pasi na jep mundësinë që të ndërtojmë. Infrastruktura shëndetësore ka si gravitet ndërtimin e një spitali ekselence në Fier dhe 10 qendra shëndetësore ekselence”, u shpreh Rama.

Më tej shtoi se për gjithë këtë proces dhe përfshirje masive të kapitalit privat në mbështetje të një programi për infrastrukturën publike, qytetarët nuk do të paguajnë asgjë ekstra.

Rama sqaroi se programi bazohet në planifikimin buxhetor të Shqipërisë në vite për të garantuar realizimin në një kohë të shpejtë të një numri shumë më të madh projektesh sesa mundëson buxheti.

“Kjo bën që për herë të parë të investohen 1 miliardë dollarë për investime publike dhe duke garantuar që mos kemi asnjë luhatje në planin për uljen e borxhit dhe mbajtja në kontroll të defiçitit. Vlen të theksohet se në këtë program do të ketë padiskutim një hapësirë të re për një rritje të punësimit. Është një program që do të garantojë punësim pasi bëhet fjalë për qindra kantiere të hapura. Do të sigurojë të ardhura të reja për buxhetin si pasojë e detyrimeve që do të vilen nga këto projekte dhe do të bëjë atë që ne kemi pasur ambicien e madhe të ditës së parë, të kemi një rritje ekonomike mbi 5%”, tha ai.

Në këtë drejtim shtoi se një rritje mbi 5% do të ketë një impakt shumë më të ndjeshëm në ekonominë familjare dhe do ti japë një impuls rritjes konsumit.

Ndër të tjera Kryeministri deklaroi se programi është një ftesë për sipërmarrjen dhe bankat që të përfshihen në një proces partneriteti me qeverinë për të bërë të mundur realizmin në një kohë të shpejtë të një numri të konsiderueshëm projektesh dhe duke garantuar nga pikëpamja financiare, financimin sipas afateve të përcaktuara kontraktuale të çdo projekti nga ana e buxhetit të shtetit me një shtrirje të arsyeshme në vite./a.y/noa.al