Transmetuar më 30-01-2017, 22:42

Për kreun e LIBRA-s, deputetin Ben Blushi, shkarkimi i Ministrit Ylli Manjani ishte ndarja e plaçkës së radhës mes dy aleatëve në qeverisje, Edi Rama dhe Ilir Meta.

Blushi thotë se Manjani u bë kurban dhe mbi kokën e tij është zgjedhur Presidenti i ri i vendit.

Në intervistën sonte për Ora News, z.Blushi tha se shpreson se PS-LSI të shkojnë bashkë në zgjedhje, pasi sipas tij duhet të mbajnë përgjegjësi për gjithë situatën e rëndë në vend.

Sipas Blushit, PS-LSI janë fajtore po njësoj për korrupsionin, kanabizimin, papunësinë, koncesionet.

I pyetur se me kë parti do bëjë koalicion LIBRA në zgjedhje, Blushi përjashtoi tre partitë e mëdha. Sipas tij, të shkosh me to në zgjedhje është të bësh vetëvrasje.

“Fundi i qeverisë, jo vetëm për mënyrën si erdhi deri këtu, por për faktin se u shkarkua nga detyra një njeri që tha se Shqipëria është mbushur me kanabis, që nuk është luftuar kanabizimi dhe që është toleruar arrestimi i bosëve të industrisë së drogës, ekzaktësisht i Klement Balilit. Rreth 90% e shqiptarëve do të thotë se kanabisi është lejuar nga qeveria. Një anëtar i rëndësishëm i qeverisë, tha se qeveria licencon kanalizimin e vendit. Ky koalicion ka degraduar. Keni parë të debatohet për reforma, për punësimin, luftën kundër korrupsionit, për të shmangur penalizimin ekstrem, për të frenuar koncesionet. Ky koalicion funksionon si koalicion që ndan faturën e korrupsionit”, - tha z.Blushi.

Pjesë nga intervista:

Pse Manjani?

Blushi: Sikur të kem mundësi sot të votoj si votues, i votoj që të rrëzohen dhe shumica duan që ky koalicion të rrëzohet. Nuk ka garantuar vende pune dhe mirëqenie. Si mundet të jetojë këtu një djalë 20 vjeç i papunë ku për shkak se si ministrat apo kryeministrat, akuzojnë njëri-tjetrin. Ky kryeministër është i paaftë për të ndërtuar marrëdhënie të ekuilibruara. Administrata sot është në kaos. Nuk funksionon sot. Koalicioni nuk funksionon në kuptimin e reformave dhe ekuilibrat garantues. Raportet me prokurorinë, katastrofë, me Presidencën në krizë, për faj të një njeriu; Edi Ramës. Policia e Shqipërisë mendon se është në punë? Kudo që shkoj, më flasin për policisë që ditën kontrollojnë qytetin dhe natën heqin uniformat dhe kontrollojnë kanabisin. Pyetni shqiptarë në qoftë se nuk thonë se pas kanabisit është policia.

A do të ketë zgjedhje të parakohshme?

Blushi: Nuk besoj se ka zgjedhje të parakohshme. Është arritur një armëpushim fals dhe i paqëndrueshëm. Ky armëpushim nuk u arrit duke bërë kurban Manjanin, u arrit për të ndarë çfarë vjen tre muajt e ardhshëm. Nuk e di nëse Rilindja dhe LSI-ja do të mund të shkonin bashkë. Këto kanë qeverisur bashkë, janë korruptuar bashkë. Kanë cënuar interesat publike bashkë, i kanë dhënë koncesionet bashkë, kanë kaluar ligjin e mbetjeve bashkë, kanë kanabizuar Shqipërinë bashkë, kanë denatyruar administratën publike bashkë, dështuan të marrin hapjen e negociatave në dhjetor, kanë cënuar bashkërisht marrëdhëniet me fqinjët pavarësisht pse bëjnë sikur kanë pozicione të ndryshme.

LSI thotë se ka marrë fatura të pamerituara?

LSI për sa kohë pranon të rrijë në këtë qeveri e gjitha është e pabesueshme. Nuk jam për të bërë gjyqin e LSI, ajo që më intereson në aspektin e një rivali politik, përfaqësoj një parti të re si LIBRA, e cila ka interes në fakt elektoral që ato të dyja të jenë bashkë se marrin përgjegjësinë deri në fund. Si qytetar i Shqipërisë jam totalisht i neveritur nga kjo mënyrë e të bërit politikë që ka 25 vjet dhe nuk ndalet. Këtë përfaqëson sot Edi Rama, Ilir Meta dhe të gjithë ata që kanë nga mbrapa.

Mendoni se koalicioni nuk do rezistojë deri në zgjedhje?

Mund të rezistojë deri në zgjedhje çka nuk përbën asnjë problem për mua, përkundrazi më jep një kënaqësi elektorale, ata të dy duhen mundur bashkë, janë binomi që ka deformuar kaq shumë prej 15 vjetësh politikën shqiptare, ka ardhur dita të ikin bashkë dorë për dore. Ajo që më duket mua në distancë, është se më duket sikur kanë ndarë prapë një plaçkë në tavolinë, mbi kokën e Ylli Manjanit është zgjedhur Presidenti i ri i Shqipërisë. Nuk e di sa e vërtetë mund të dalë kjo por kështu më duket.

Ju duket apo keni informacione?

Nuk u hyj thashethemeve të pazarit të Rilindjes, ky është pazari i Rilindjes, nuk besoj se janë duke negociuar reformat, siç të shkojë vettingu përoara që është bllokuar, si të avancojë proçesi i integrimit europian që është bllokuar, si të ç’kanabizohet Shqipëria, si të bëhet reforma zgjedhore që është e bllokuar dhe për faj të Rilindjes dhe LSI, të dyja janë kundër numërimit elektronik sepse kanë numërues në tavolinë dhe mund tu vjedhin vota të tjerëve. Pazari i vetëm është Presidenti i Republikës. Edi Rama dhe Ilir Meta janë duke negociuar Presidentin e Republikës, ylli Manjanin e bënë kurban për të forcuar aleancën e tyre deri atë ditë.

Ministrit Lefter Koka për policinë. Ka deklaruar se po përgatiten për të vjedhur zgjedhjet e qershorit.

Derisa një Ministër e thotë këtë gjë, gjithsekush ka arsye të besojë nga pak. Nëqoftëse një Ministër thotë policia e shtetit do vjedhë zgjedhjet sekush ka arsye ta besojë, nuk është një gjë që nuk ka ndodhur në të shkuarën. Koka duhet të përgjigjet vetë për deklaratat që jep, ajo që mund të them është që mungesa e vullnetit për të çuar përpara reformën zgjedhore dhe për t’ia dhënë të drejtën makinës për të numëruar votat tona dhe jo një numëruesi të Rilindjes apo LSI që sot mund të jetë doganier, tatimor, batakçi province. Ajo që themi ne është që makina të ketë të drejtë të numëroje votat. E dini çfarë argumenti ka Ilir Meta me Edi Ramën? Thonë: Po nuk ka kohë. Po sikur makinës ti ikin dritat? Po nëse ikin dritat në një palestër, po batakçiu i Ilir Metës dhe Edi Ramës, ata që çojnë për të numëruar votat, ai sheh në errësirë? Çfarë qeniesh janë këta? Kanë gjetur ca avatarë që numërojnë votat dhe shohin natën? Absolutisht. Kjo është alibi për të deformuar proçesin zgjedhor. Edhe nëqoftëse deri dje njerëz si puna ime nuk besoheshin kur thosha se Shqipëria po kanabizohet, që policia mund të prekë votat, që polarizimi është ekstrem dhe papunësia dhe emigracioni janë rritur, ja pra ku janë dy Ministra. Ilir Meta nuk mund të bëjë më si Pons Pilati, ose është me partinë e vet, ose është me Edi Ramën. Më pyesin dhe më thonë a i njeh ndonjë sukses Edi Ramës në këto katër vjet? Unë ja njoh një dhe do ta them, shkatërrimin sistematik të LSI ja njoh si sukses. Më vjen mirë.

Në ç’kuptim e ka shkatërruar sistematikisht LSI, Rama?

Sot është hapi i parë i shkatërrimit të LSI, sepse Ilir Meta në kodin e shqiptarëve, ka nja 15 vjet që thonë Ilir Meta mban fjalën, Ilir Meta shiti sot Ministrin e vet. Ka ndërruar tre Ministra Drejtësie për katër vjet. LSI ka pasur MInistrinë e Drejtësisë në katërvjeçarin e fundit, ka ndërruar tre në më pak se tre vite e gjysmë. Kjo do të thotë që atë institucion ta shkatërrosh. Dhe për cilën arsye? Tregon destabilitet. LSI thotë se jemi për stabilitet. Cilin stabilitet? Institucioni i Ministrisë së Drejtësisë është totalisht në krizë. Nuk mund të ndërrohen tre Ministra për tre vjet e gjysmë. Për çfarë arsyesh? Thonë e ndërroi Ministrin se nuk çoi përpara reformën, i dolën nga burgu 500 vetë dhe pati kryengritje në burg, u kap në flagrancë me korrupsion bie fjala. Këto janë arsyet se pse ikën një Ministër. Ministri i Ilir Metës e dini për çfarë ikën nga puna? Se nuk shkon mirë me Kryeministrin. Dhe në fakt të gjithë nuk shkojnë mirë me Kryeministrin jo për arsyet e veta, por për arsye të Ilir Metës. Ky kodi që Ilir Meta mban shokët, shqiptarët do ta kuptojnë nga rasti i Ylli Manjanit dhe të tjerëve që nuk është i vërtetë. Prandaj jam i kënaqur që Ilir Meta me sukses po ndihmon që Edi Rama ta shkatërrojë me sukses LSI. Çka po e bën në mënyrë perfekte. Nëse Edi Rama ka një aftësi është aftësia për të shkatërruar partitë e vjetra. Shkatërroi PS, po shkatërron LSI dhe kështu do mbyllë dhe ciklin e vet.

LIBRA, zgjedhje më 11 shkurt me votim elektronik...

Kemi zgjedhje me 11 shkurt që është e shtuna e javës tjetër dhe do bëjmë zgjedhje tre muaj pasi jemi krijuar. Mund të preferonim të shkonim si të tjerët që nuk bëjnë zgjedhje 1 herë në 7 vjet si Rilindja, apo ca parti të tjera si LSI që zgjidhen vetëm kandidatët për nënkryetarë por nuk zgjedh kryetarin. Bëjmë zgjedhje për dy nivele, ata që drejtojnë LIBRËN dhe në nivelin e dytë. Anëtarsia jonë në 80% të saj është e regjistruar në internet online. Nuk kemi mundësi për zyra partiake. Duam të krijojmë inovacion, qëllimi i LIBRËS nuk është detyrimisht të vimë në pushtet, por të ketë emancipim politik. Duam të modernizojmë sistemin. Proçesi është shumë i thjeshtë.

Zgjedhjet e qershorit...

Blushi: Ka qenë një debat i anëtarëve tanë me ata të PD, ne jemi të lirë në këtë aspekt, nuk penalizojmë dhe nuk kontrollojmë asnjë deri në kufijtë e etikës. Përcaktuam të parët që në nëntor kur u themeluam që do kërkojmë që kanëdidatët për deputetë të vetëpropozohen në internet, dhe kjo ka për të ndodhur. LIBRA është forcë e re politike dhe sot nuk ka asnjë kandidat të saj, ne jemi dy deputetë dhe duhet të çojmë 140 në zgjedhje. Këta do vetëpropozohen se ku duan të kandidojnë. Ne do shohim se kush janë njerëzit që mund të kenë më shumë influencë në territor, që mund të pajtohen kriteret e tyre etike dhe profesionale me territorin, ata do kandidojnë. PD ju fut një procesi, sot dëgjova që edhe Ilir Meta ju fut kësaj rruge. U thotë njerëzve propozoni kandidatët për deputetë, askush nuk e beson që një anëtar i thjeshtë i PD… Kush beson që tek PD nuk është Sali Berisha ai që zgjedh kandidatët për deputetë, apo nuk është Ilir Meta ai që zgjedh kandidatët për deputetë tek LSI? Megjithatë nëse gjithë këto partitë e vjetra adoptojnë një standard më të mirë nga ai që kanë pasur unë jam shumë i kënaqur. Jam i kënaqur që ato përdorin një pirun që përdorim dhe ne, apo lugë.

Koalicionet për zgjedhjet?

Me kë të bëjmë koalicion, me Rilindjen, me këta që i thonë njëri-tjetrit në mëngjes Klement Balili është i joti dhe pastaj shkarkohet një Ministër se thotë Klement Balili nuk po kapet, dhe është i lirë në fakt. Klement Balili është i lirë të punojë, Ministri që e thotë është pa punë. Me kë prej tyre mund të bëjmë koalicion? Ne nuk kemi dalë për të vrarë veten. Të shkosh në zgjedhje me këta është njësoj sikur të vrasësh veten. Mund të bësh koalicion me Rilindjen apo PD?Janë segmente të së njëjtës rrugë. Rruga drejt rrënimit të Shqipërisë. E filloi Saliu, po e vazhdon me shumë sukses Edi Rama. Gjitha plagët që gjeti nga Saliu i ka hapur dhe më shumë dhe janë kthyer në hemorragji. Gjeti korrupsion e ka rritur, gjeti koncesione i ka shtuar, gjeti papunësi e ka më të madhe, gjeti borxh publik është më i madh sot, gjeti emigracion 200 mijë veta ikën nga Shqipëria në tre vitet e fundit. Një qytet sa Durrësi. Gjeti një Lazarat e lazaratizoi të gjithë Shqipërinë.

Jeni akuzuar se u larguat nga PS se nuk ju plotësoi disa favore Rama?

Njerëzit që më njohin dhe mua dhe Ramën e dinë se unë i kam bërë shumë favore zotit Rama. Nuk jam njeri që bëj bilanc personal. Për ti marrë favore Ramës është shumë e thjeshtë, se kur ja merr Elvis Rroshi me Vangjush Dakon dhe ca banditë të tjerë të Shqipërisë, kur ja marrin ata që kanë armë një njeri që bën libra ia merr më kollaj. Kam ikur nga Rilindja sepse u kthye në një bandë trafikantësh dhe spekulantësh, po marrin vota dhe po qeverisin Shqipërinë me armë dhe hashash. Hashashi është Rilindja dhe kallashi është PD. Me këto të dyja nuk mund të jem.