Transmetuar më 30-01-2017, 17:04

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes znj Milva Ekonomi, mori pjesë sot në aktivitetin “Inspektimet Online, sfidë e së ardhmes për më shumë transparencë, efektivitet dhe garanci për mbrojtjen e biznesit në Shqipëri” organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe Inspektoriati Qendror.

Ministrja Ekonomi informoi mbi rolin e Inspektoriatit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, i cili është një strukturë e re në varësinë e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Ajo tha se ky inspektoriat fokusohet në tre shtylla kryesore: produktet industrial  joushqimore, pronësia intelektuale dhe turizmi.

Ministrja shtoi se duke patur parasysh që sipërmarrja shqiptare synon te jetë konkurruese në tregun ballkanik dhe më gjerë, roli i inspektorateve merr një rëndësi të veçantë për të garantuar cilësi dhe standarde të larta te produkteve, të përafruara me ato të Bashkimit Europian. Në këtë kuadër, Ministrja u shpreh se është e angazhuar që roli dhe detyra e inspektorateve të jetë sa më profesional dhe i denjë për të garantuar një produkt cilësor për konsumatorin.

Me synim rritjen e transparencës, ndërgjegjësimin e sipërmarrjes dhe informimin e publikut është ndërtuar portali “e-Inspektimi”, i cili është një instrument inspektimi, monitorimi e koordinimi i veprimtarisë së Inspektorateve Shtetërore e Qeverisjes Vendore. Në këtë portal do jenë të afishuara struktura, fushat e inspektimit, regjistri i inspektorëve për të gjitha inspektoratet shtetërore./b.l/noa.al/