Transmetuar më 30-01-2017, 07:04

Kanë dështuar bisedimet mes VMRO DPMNE-së dhe BDI-së për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë. Pak para skadimit të afatit të mandatarit për formimin e qeverisë së re, Nikolla Gruevski, të dielën në mesnatë, BDI-ja që drejtohet nga Ali Ahmeti, oftoi se nuk ka gjetur pika të përbashkëta për koalicion me VMRO-në.

“Në mënyrë unanime kemi konstatuar se për momentin nuk kemi argumente të mjaftueshme për tu përcaktuar për njërin nga pesë opsionet të cilët i kemi në tavolinë, kështu që debatet dhe konsultimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim”, ka deklaruar zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osman.

Ai nuk ka dhënë detaje se çfarë është pranuar dhe çfarë jo nga VMRO DPMNE-ja e Nikolla Gruevskit. BDI-ja në bisedime me këtë parti ishte futur me kërkesat që janë pjesë e deklaratës së partive politike shqiptare, tri prej të cilave për të ishin të panegoviueshme, zyrtarizimi i gjuhës shqipe, vazhdimi i mandatit të Prokurorisë Speciale dhe procesi i integrimit euroatlantik të Maqedonisë

Edhe VMRO DPMNE-ja ka njoftuar për dështimin e bisedimeve ndërsa si mundësi për dalje nga kriza e re ka përmendur mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

“VMRO-DPMNE konsideron se formimi i qeverisë duhet të jetë në funksion të mbylljes së krizës politike, e jo të thellimit të saj. VMRO-DPMNE konsideron se mbajtja e zgjedhjeve të reja është vendim i pjekur, ndërsa në funksion të tejkalimit të krizës dhe vendosjes së reformave prioritare në plan të parë”, thuhet në komunikatën e publikuar menjëherë pas vendimit të BDI-së.

Sipas tyre çdo vendim tjerë vetëm do të sjell konflikte të reja dhe probleme në shoqërinë “edhe ashtu të ndarë dhe nuk do të jetë në funksion të realizimit të programeve, cila do qofshin  ata”.

“Është e qartë se dikush dëshiron të neglizhohet vullneti i shumicës së qytetarëve të Maqedonisë dhe të fus Maqedoninë në një faze të pasigurt nga zhvillimi i saj. VMRO-DPMNE ngelet në pozitat e saj principiele në lidhje me interest strategjike dhe dekretin e shpallur më 17 dhjetor 2016-të”, përfundon reagimi i VMRO-DPMNE-së, pas vendimit të BDI-së, për të mos koalicionuar me VMRO-në.

Pas dështimit të Nikolla Gruevskit mbetet dilema nëse Presidenti Gjorgje Ivanov do t’i jep mandatin partisë së dytë, në këtë rast LSDM-së së Zoran Zaevit, për të nisur bisedimet për formimin e qeverisë së re.