Transmetuar më 29-01-2017, 17:37
Publicitet

Kryeministri Edi Rama tha të dielën se vendi sipas tij, ka marrë kthesën nga buza e humnerës ku sipas tij gjendej në 2013-ën dhe se reforma ka nisur të japë rezultatet e para.

Rama njoftoi edhe se qeveria do të nisë programin kombëtar të financimit 1 miliard dollarë për investime dhe rindërtim.

“Krahas investimeve të drejtpërdrejta do të fusim në rrugën e rilindjes një volum kapitalesh private, për të ndërtuar me shpejt infrastrukturën rrugore, arsimore e shëndetësore, për të bërë të mundur që çdo vit vendi të injektojë 1 miliard dollarë investime”, tha Rama.

Komunikimi i Ramës në Facebook:

 “Vendi ka marrë kthesën nga buza e humnerës ku gjendej në 2013-ën, por mund të synojë edhe shumë të tjera. Reformat po na japin vetëm rezultatet e para, të cilat do të shtohen dhe konsolidohen hap pas hapin në vijim.

Shifrat e rimëkëmbjes së ekonomisë si rezultat i reformave të guximshme edhe nga FMN e BB, KE, për kthesën në drejtimin e duhur të ekonomisë, nuk mjafton për të kënaqur vetëm ekspertët e fushës.

Pasi, në fund të ditës, çdo familje shqiptare meriton më shumë. Jam i vetëdijshëm se pavarësisht faktit të rritjes ekonomike 3.4% e cila është si dita me natën në krahasim me 0% si tre vite më parë, nuk mjafton për të rritur ekonominë familjare të gjithsecilit.

Paralelisht me rritjen e luftës kundër informalitetit, e cila do të ashpërsohet këtë vit, ne do nisim programin kombëtar të financimit 1 mld dollarë për rindërtim.

Krahas investimeve të drejtpërdrejta do të fusim në rrugën e rilindjes një volum kapitalesh private, për të ndërtuar me shpejt infrastrukturën rrugore, arsimore e shëndetësore, për të bërë të mundur që çdo vit vendi të injektojë 1 mld dollarë investime".