Transmetuar më 28-01-2017, 21:35

Gurie Hysa ishte 6 vjeçe kur pësoi dramën më të madhe të jetës së saj.

Duke luajtur me fëmijë të tjerë, aksidentalisht u shpërtheu  një minë, ku ajo humbi përgjithmonë shikimin, ndërsa vëllai i saj humbi jetën.

Sot, pas 70 vjetësh, Guria ende tregon me detaje atë ditë.

“Ishim me bagëti, na dërgoi nena. Isha me vëllanë dhe një vajzë tjetër. Ajo mbante në dorë një “bumje” të kuqe. E kishin gjetur. Mua nuk ma jepnin se unë isha e vogël. Ajo e hapi dhe plasi.Ata vdiqën të dy”, rrëfen ajo.

Por pavarësisht kësaj, me kalimin e viteve Guria fitoi aftësinë e të qepurit dhe të qëndisurit të veshjeve tradicionale të Rrajcës, diçka e pabesueshme në kushtet e saj.

“Ma ka mësuar nëna. Më ndihmonte nëna. Kam qepur edhe me shoqet. Tani që jam sëmurë nuk qep dot më”, thotë Guria.

Pjesës fundore të fustanit të bardhë, rruazat dhe teminat e jelekut dhe shamisë, për Gurien duket se kanë qenë diçka jo shumë e vështirë, transmeton TCH. Edhe pse ka qenë shumë e vogël kur ka humbur shikimin, Guria adhuron veshjen tradicionale të zonës dhe nuk pranon të veshë asgjë tjetër.

“Më pëlqen shumë fustani i bardhë. Nuk kanë ç’më duhen veshjet e tjera. Veshjet nuk i heq”, thotë e moshuara.

Nga ky aksident, Guria nuk arriti kurrë të krijojë një familje të sajën. Ajo jetoi me prindërit, më pas me vëllanë dhe tashmë me nipin.

“Ka një pasion të veçantë. E ka mësuar e ëma dhe filloi të qepë. Nuk i heq rrobat e bardha. Do të mbajë traditën e Rrajcës”

Tashmë 76 vjeçe, Guria duket se ka këtë pasuri për t’ua lërë nipërve të saj, veshjet tradicionale të Rrajcës të qepura me kujdes dhe dashuri, këto veshje të cilat familja nuk ka pranuar t’i shesë edhe kur ja kanë kërkuar nga turistë të huaj.