Transmetuar më 28-01-2017, 09:11

Nga Lorenc Vangjeli

Është njerëzore që dhembja të harrohet me kalimin e kohës. Koha është edhe doktor në rastin më të mirë, edhe shuarje totale e ndjesisë së keqe, në rastin më pak të mirë. Pakkush e kujton kohën e largët dhe dramat e pafundme para sporteleve konsullore për marrjen e vizave. Prej së paku gjashtë vjetësh në ambasadën italiane, greke, gjermane dhe të tjerat më pak, nuk shihen më grumbujt e dëshpëruar të njerëzve që prisnin në radhë. Është zhdukur profesioni i sekserëve vendas dhe të huaj që këmbenin lejen magjike të kalimit të kufirit me para, është zhdukur rëndësia proverbiale e “miqësisë” me konsullin dhe figura e konsullit aty, atje dhe andej është tashmë ajo që duhet të ishte gjithmonë: një diplomat i zakonshëm që shërben në një vend si Shqipëria, që rrethanat e pazakonta i bëjnë të pazakontë.

Edhe Shqipërinë, edhe konsullin.

Filtri për udhëtimin e shqiptarit tani në perëndim është zhvendosur në aeroportin e destinacionit dhe konsulli është zëvendësuar me policin e doganës. Shumë herë më pak i rëndësishëm sepse ndoshta vetëm një herë në një mijë raste refuzon vulën në pasaportë. Fatmirësisht, për të mirën publike që shpesh nuk prodhohet brenda në vend, por importohet nga jashtë, ka mbetur një filtër tjetër. Shumë i rëndësishëm dhe me disa funksione njëherazi. Ajo është Zyra konsullore e SHBA-së.

Të enjten, një njoftim i ambasadës së SHBA-së konfirmoi se janë revokuar vizat e udhëtimit  për disa gjyqtarë dhe prokurorë shqiptarë. Një nga ta, madje, një prokuror i nivelit të lartë dhe bashkëshortja e tij, humbën vizën që kanë marrë më parë për shkak të abuzimit me të. Në Tiranë u bënë shumë kuriozë për të mësuar emrat. Sepse emrat e grishin kuriozitetin më shumë se fenomeni. Por Ambasada nuk komenton për emra konkretë. Të dhënat për ta, sipas ligjit, janë konfidenciale.

Ambasada sqaroi “…se e ka ndërmarrë këtë veprim përpara procesit të pritshëm të vettingut, i cili do të vlerësojë lidhjet e zyrtarëve të caktuar me korrupsionin…”. Pra, vendosi një filtër të parë midis detyrës dhe funksionit të zyrtarit të sistemit të drejtësisë dhe të drejtës morale për ta vazhduar dhe më tej atë detyrë për shkak të mëkateve që ka kryer apo dyshohet se ka kryer. Duke dëshmuar, sipas sqarimit të saj, se “…i merr seriozisht akuzat për korrupsion dhe do të vazhdojë t’i shqyrtojë vizat dhe aplikimet për vizë të zyrtarëve të drejtësisë me vëmendje të shtuar…”, si një mjet në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri.

 Gjyqtarët dhe prokurorët nuk janë të vetmit që kanë mbetur në këtë filtër. Tani që institucioni i Vetting-ut është vënë në lëvizje, ata do të duhet të bëjnë dhe më tej llogaritë me një filtër tjetër që vjen si frymë nga ana tjetër e botës.

Është dhe një listë tjetër për të cilën është folur pak, por është fantazuar shumë; lista me persona politikë e të padëshiruar në SHBA. Emrat që janë përmendur, që janë pilotuar në media apo janë marrë me mend nga media, jo gjithmonë kanë qenë korrektë. E vërteta është se ka shumë nga njerëzit e politikës që e kanë provuar shijen e refuzimit dhe të mbylljes së derës konsullore në fytyrë. E vetmja gjë që i ka mbrojtur nga “demaskimi publik” është mungesa e konfirmimit individual e rast pas rasti i emrave të tyre.

Refuzimi i udhëtimit për në SHBA i kësaj kategorie njerëzish në thelb është një proces. Edhe pse shpesh mund të duket shumë subjektiv dhe bazuar në informacione të pa “noterizuar” nga gjykata, ai është ende një filtër i lumtur në politikë dhe për politikën. Që shpesh, në mungesën e filtrave lokalë që duhet t’i vendoste konkurrenca e vlerave, kontributeve e dijeve, e kthejnë politikën në një garë që e fitojnë të pandershmit. Sipas parimit moral: jo çdo gjë blihet me para! Dhe sipas rregullit njerëzor që ende funksionon kudo: çfarë nuk mund të blihet me para, mund të blihet edhe me më shumë para! Paratë nuk janë gjithmonë vetëm kartëmonedha. Ato kanë fytyra të ndryshme dhe emra të ndryshëm sipas rrethanave. Duke qenë, në fakt, gjithmonë të përkohshme. Si lavdia e forca që jep pushteti, për shembull. Të krijuar nga mungesa e filtrave të fatit dhe të munguar nga fati i filtrave. /Javanews/