Transmetuar më 28-01-2017, 00:20

Ministri thotë se pas qershorit, Meta duhet të jetë kryeministër

Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, një ndër emrat më të rëndësishëm të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe shumë pranë liderit të kësaj partie, Ilir Meta, flet me tone kritike për Partinë Socialiste dhe Policinë e Shtetit.

Z.Koka akuzon PS se po i kundërvihet LSI-së në qendër dhe në bazë duke e konsideruar këtë forcë politike si problemin e qeverisjes.

Në intervistën që i dha RTV Ora News, z.Koka pranon se prej muajsh ka një tension mes dy partive, PS dhe LSI.

Koka tha se ka evidentuar “shumë nga strukturat e larta të Partisë Socialiste ku lajtmotivi i tyre me simpatizantë të tyre është një dhe i vetëm: “Nuk kemi kundërshtarë Partinë Demokratike por kemi kundërshtarë Lëvizjën Socialiste për Integrim”. Koka thotë se kjo nuk i shërben as të tashmes dhe as të ardhmes. “Sigurisht unë nuk mendoj që është kryetari i PS-së ose kryeministri ai që nxit të tillë komunikim me strukturat dhe simpatizantët, por eksponentë të caktuar, ku në vetvete kanë kërkuar të involvojnë dhe punonjës të policisë dhe kjo është akoma më e rëndë pasi rrezikon të sjellë destabilitet dhe rrezikon të kemi zgjedhje jo me standarde”, – lëshoi z.Koka akuzën e rëndë dhe paralajmërimin serioz.

Por, kur z.Koka thotë se zgjedhjet janë në rrezik nga këto eksponentë, për çfarë kanosje flet? Ministri përgjigjet: “Nëse i kthehemi të kaluarës në përgjithësi zgjedhjet janë cënuar kur Policia e Shtetit është vënë në shërbim të një forcë politike. Ajo që sot po shohim është që Policia po evidenton në mënyrë të strukturuar eksponentë të kundërshtarëve politikë. Ajo që më habit është që kundërshtarët e PS qenkërkemi ne”.

Koka gjeti rastin t’i drejtohet me tone paralajmëruese drejtuesve të PS, kur tha: “Mund të funksiononte kjo metodë me kreun e PD-së Bashën, si presion ndaj simpatizantëve të LSI-së, por nuk besoj se funksionon as me Lefter Kokën dhe as me Ilir Metën si metodologji”.

Në këtë pikë, z.Koka lëshoi edhe një apel ndaj policisë: “Ndaj do kërkoja t’i bëja thirrje në fakt eksponentëve të policisë së shtetit të mos ikin në drejtim të padukur”.

Koka tha edhe se i bën thirrje policisë së Shtetit Shqiptar të shmangen. Dhe, duke u fokusuar te policia në Durrës, evidentoi se në drejtorinë e Policisë së Qarkut të Durrësit, “ka një rrjet nepotik, që kanë marrë detyrat respektive, por jo atë për të ruajtur rendin”.

“Pra Policia sot në Durrës është në drejtim të paditur, ata vetë nuk janë në drejtim të ditur. Këta njerëz kanë vetëm një detyrë si funksion, të bëjnë fituese forcën e tyre politike për të mbajtur pozicionet që kanë dhe për t’ua shpërblyer atyre që i kanë vënë”, – theksoi z.Koka.

“Ajo që unë shoh sot janë eksponentë të caktuar, të ardhur nga qytete të caktuara për të drejtuar Policinë e Shtetit, pa asnjë lidhje me Policinë, janë mjeshtra për punët që ata dinë të mirëadministrojnë e kjo jam i bindur se do sjellë zgjedhje të deformuara”, – paralajmëroi z.Koka.

Këtu ai paralajmëroi se nga të tillë skenarë, “nuk frikësohet as Lefter Koka dhe as Ilir Meta”.

“Dikur kam pasur kundërshtar dhe Sali Berishën dhe Edi Ramën kur isha kryetar bashkie! Dhe në 2007 unë dhashë kontributin tim të zgjidhej Vangjush Dako. Sot është totalisht e pahijshme të ndodhë ky lloj presioni apo këto mekanizma të funksionojnë në një aleancë. Kjo s’është më aleancë!”, – tha z.Koka.

Duke shtruar ai vetë, pyetjen se “çdo të bëhet nesër me aleancën?”, Koka shtoi: “Sigurisht do e diskutojnë e vendosin forumet e LSI, por unë personalisht do të jap mendimin tim personal, JO. LSI sot ka potencialin dhe shifrat e dimensionet e saj për ta vetëqeverisur Shqipërinë”. 

Jo thjesht krizë

Në intervistë, z.Koka tha se nuk ka thjeshtë dhe vetëm një krizë të thelluar në koalicionin qeverisës. “Unë s’do ta konsideroja thjesht dhe vetëm një krizë. Nëse koalicioni brenda tij nuk do të funksionojë si i atillë do të bëhemi shpesh dhe palë dhe do të ndihmojmë njëri-tjetrin qoftë edhe për të gabuar”.

Koka nuk mohoi as faktin se rrezikohet futja në koalicion në zgjedhjet e 2017. 

Por, a bëhet fjalë për vjedhje vote?

Ministri Koka thotë: “Gjithçka mund të ndodhë!”, duke kujtuar: “Ne kemi paguar kosto të mëdha nga 1996 pikërisht nga kjo gjë dhe e kthen Shqipërinë pas në kohë, me këtë fenomen te rikthyer në 2017”.

Meta, kryeministër

Ministri Koka tha se “z. Meta ka të gjithë potencialin për të qenë kryeministër”. Por, a do të thotë kjo se LSI do të kërkojë kryeministrin në negociata?

Z.Koka nuk e mohon, por shton se në zgjedhje, LSI ka shanset të dalë forcë e parë: “LSI tashmë është një forcë konkurruese dhe sigurisht 18 qershori do të jetë data kur dhe shqiptarët dhe vetë LSI do të kuptojë dimensionin e saj. Nëse LSI do të jetë forca fituese, Kushtetuta e parashikon që do të jetë ajo forcë që do të bëjë krijimin e qeverisë”, – tha Koka, duke shtuar se Meta do t’i bindet vullnetit të qytetarëve shqiptarë”.

Kurse theksoi: "LSI duhet të tregojë forcën e saj, të qeverisë vendin e t’u japë shqiptarëve atë çka meritojnë”.

Durrësi nën dhunë policore

Në intervistën e tij, z.Koka u ndal gjatë te zhvillimet në Durrës. Ai tha se “Durrësi sot është një qytet i heshtur që nuk po mundet dot të dalë nga zgjedha e krimit, nuk po mundet dot të dalë nga ajo dhunë policeske, ndaj dhe është një qytet që po hesht”. Ai theksoi se “ky është një realitet i hidhur në Durrës”, – duke shtuar se, “në 18 qershor do të dinë të votojnë dhe të çlirohen nga kjo që po ndodh”.

Koka foli edhe për vrasje të mbështetura nga Policia: “Në qendër të Durrësit, është me të vërtetë një katrahurë në trafik. Por, nëse ndodh një krim, rrugët janë të hapura. Pra dikush njofton policinë që të hapen rrugët dhe të kalojë makina e cila vret apo bën një krim tjetër. Kjo është një gjë që të trishton”.

Ministrat nuk flasin dot me kapot e policisë

“Nëse je një anëtar kabineti ti nuk mundesh dot të komunikosh me një drejtor policie edhe nëse sheh një ngjarje të rëndë thjesht dhe vetëm si qytetar. Mund të marrësh vetëm numrin 119 sepse krerët e policisë konsiderohen si monopol, si djem që janë në funksion të dikujt, por kjo nuk është kjo policia që i shërben shqiptarëve”, – tha ministri duke lëshuar një tjetër akuzë serioze ndaj strukturave të rendit që drejtohen nga Saimir Tahiri. Ai theksoi se kështu po i fyejnë qytetarët dhe shtoi: “Sot ka ardhur dita për të thënë, mjaft më!”

Dehja nga pushteti dhe paraja

Koka foli në intervistë edhe për dehje nga pushteti, duke nënkuptuar sigurisht, krahun tjetër të koalicionit qeverisës, PS. “Ajo që unë sot shoh është dehja nga pushteti po ndoshta dhe nga paraja i ka  bërë njerëzit pushtetarët të jenë arrogantë dhe  të shkëputen nga realiteti”, – tha z.Koka.

Koka nuk la pa përmendur as zgjedhjet lokale kur tha se pati tradhti të mirëfilltë nga PS, duke e quajtur si të habitshme dukurinë: “Na ndodhi ku në Lezhë patëm tradhëtira nga më të habitshme, na ndodhi që në Pogradec patëm tradhëtira nga më të habitshme dhe nuk morëm një faleminderit për qarqet që dhamë kontribut”, – tha Koka. Kurse duke u ndalur te Durrësi, ku LSI i dha PS-së 18 mijë vota për mandatin e tretë të Dakos, Koka tha: “Sot duhet të ishte Grida Duma në krye të bashkisë Durrës dhe jo Vangjush Dako”.

Droga po bën kërdinë

Në vijim z.Koka u ndal te krimi i drogës: “Drejtimi i duhur është të ruajnë rendin, të shohin këtë fenomen kaq të rëndë, të ndodhur në territorin shqiptar ku po bëhemi gazi i Europës me sasinë e kanabisit të mbjellë në këtë territor dhe mendoj që këto fenomene kanë bërë shpesh që të ketë pasur edhe reaksione, qoftë edhe nga zoti Manjani por është besoj më e shëndetshme t’i flasim gjërat qartë dhe drejt sesa të kërkojmë të ndërtojmë strategji e të tjera gjëra”.

Koka u ndal gjatë te dukuria e marijuanës që pushtoi vendin vitin e kaluar dhe me gjasa do të lulëzojë lirshëm edhe këtë vit. “Detyra funksionale e policisë është që të parandalojë një krim dhe jo të mos jetë në gjendje të parandalojë dot rritjen e një bime. Dihet cikli i rritjes së një bime; ka një cikël disamujor ku janë qindra e qindra punonjës të policisë së shtetit që paguhen nga taksapagues shqiptarë dhe nuk duhet të jenë tutorë do të thoja të ashtuquajturve të fortë në qytete të ndryshme. Sot nuk ka të fortë”.

Ministri paralajmëroi se “do të mbajnë përgjegjësi ligjore qoftë ata eksponentë të policisë të cilat tashmë janë bashkëpunëtorë të ngushtë të atyre që kultivojnë lëndë narkotike”.

Sakaq Koka lëshoi edhe një akuzë tjetër të rëndë ndaj forcave policore që udhëhiqen nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe kryepolici Haki Çako. Koka akuzoi se ndaj LSi po ushtrohet presion i shëmtuar dhe lëshoi një tjetër paralajmërim kur tha: “Loja që sapo ka nisur për të bërë presion dhe për ta vënë Policinë e Shtetit në funksion të presioneve do të marrë përgjigjen e merituar shumë shpejt”.

Koka foli dhe për trafik droge nga ajri. Ai përmendi rastin e një trafikanti që u kap pasi avioni i tij ra në Durrës. Ministri theksoi faktin se ky trafikant kishte kryer disa herë fluturime dhe u kap vetëm pasi ra nga kurthi i një fshatari të zonës, i cili i shqetësuar nga ulje-ngritjet e avionit pranë tokës së tij, hapi një kanal uji duke shkaktuar pengimin dhe ngecjen e avionit.