Transmetuar më 26-01-2017, 17:33

Aktori i mirënjohur shqiptar Gjergj Trola është ndarë nga jeta mëngjesin e sotëm si pasojë e një ataku kardiak në zemër. Mësohet se aktori 42 vjeç ka pësuar atak në zemër teksa ka qenë duke konsumuar një kafe me miqtë në rrugën "Ibrahim Rugova" në Tiranë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:20 të mëngjesit të sotëm. Aktori i njohur ka lënë pas një djalë të vetëm në klasën e tretë.

Trola ka marrë pjesë në shumë produksione ku më i fundit ka qenë seriali "Familja" e regjisorit Ylli Pepo, ku 42 vjeçari në këtë serial kishte rolin e babait, i cili ishte taksist në ministri.

Një kontribut shumë të madh Trola ka dhënë edhe në zbulimin e talenteve të reja, nëpërmjet organizmit të festivaleve teatrore.

Trola ishte drejtor i Festivalit Mbarëkombëtar i Shkollave të Mesme dhe Drejtor i Festivalit të Tiranës. Trola me natyrën e tij optimiste dhe solidare, ka qenë gjithmonë pjesë e kauzave të ndryshme të qytetit, veçanërisht në temat mjedisore.