Transmetuar më 25-01-2017, 19:25

Ersekë, 25 janar 2017, NOA.al- Rehova në Ersekë, është shpallur qendra e re historike me vendim qeverie.

Rehova piktoreske, e cila shtrihet në rrëze të malit të Gramozit, është shpallur qendër e mbrojtur historike me vendim qeverie. Ky vendim është miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ditën e sotme, ndërsa më herët edhe KKR ishte shprehur pro një vendimi të tillë.

Fshati i Rehovës është i njohur në të gjithë vendin për artizanatin, mikpritjen, gatimet e veçanta, bukuritë dhe trashëgiminë e pasur, të ruajtur deri në ditët e sotme.

Propozimi për shpalljen e qendrës historike në fshatin Rehovë synon ruajtjen e vlerave historike, urbanistike e arkitektonike të këtij fshati, për t’i dhënë kështu një rol të rëndësishëm si një qendër e zhvillimit të turizmit në zonën e Kolonjës.

Qendra historike ruan vlerat urbanistiko- arkitektonike të fshatit, e cila ruan gjini të ndryshme ndërtimore si: ndërtime shoqërore, kulti dhe banesa popullore. Qendra historike përbëhet edhe nga zonat e gjelbra të përfshira brenda saj.

Qendra historike e fshatit Rehovë, përfshin të gjitha ndërtimet ekzistuese dhe përbëhet nga një kompozim kompakt tradicional që zhvillohet rreth kishës dhe sheshit qendror të fshatit. Ansambli i ndërtuar paraqet tipologji interesante veçanërisht në krijimin e hapësirave urbane, si dhe përfshin një numër të konsiderueshëm banesash me një tipologji të larmishme dhe një rrjet rrugor të shtruar me kalldrëm. Ndërtimet në përgjithësi janë 2-katëshe dhe janë ndërtuar me mur guri, si dhe ka një numër të konsiderueshëm portash me hark dhe sofat me gurë të gdhendur.

Ministria e Kulturës bashkë me IMK dhe institucionet e tjera të trashëgimisë është kujdesur që në bazë të vlerave që ruan Rehova, të krijojë një destinacion të veçantë për turistët, atë të “Rrugës së Portave”. Në pjesën e vjetër të fshatit Rehovë, një nga gjërat karakteristike që vihet re lehtësisht janë portat e shtëpive në rrugët me kalldrëm, të cilat në një pjesë të madhe të tyre ruajnë karakteristikat e punimit nga mjeshtrat rehovarë si dhe kohën kur janë ndërtuar, që daton deri në fillim të shekullit 20.

Synimi i Ministrisë së Kulturës pas shpalljes së qendrës historike është që edhe për Rehovën të krijohet i njëjti itinerar si Voskopoja, duke i dhënë këtij fshati një zhvillim të ri turistik e ekonomik, përmes rijetëzimit të vlerave që mbart. 

Vendim

Për

shpalljen e qendrës historike të fshatit Rehovë, Ersekë, dhe miratimin e rregullores për administrimin e saj e të zonës së mbrojtur përreth

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 3 e 4, të nenit 29, të ligjit nr.9048, datë 7.4.2003, “Për trashëgiminë kulturore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

Vendosi:

1.Shpalljen e Qendrës Historike të fshatit Rehovë, Ersekë, sipas hartës dhe koordinatave gjeografike bashkëlidhur këtij vendimi.

2.Miratimin e rregullores “Për administrimin e Qendrës Historike të fshatit Rehovë, Ersekë, e të zonës së mbrojtur përreth”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

3.Ngarkohen Ministria e Kulturës dhe Ministria e Zhvillimit Urban për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”