Transmetuar më 25-01-2017, 17:40

Prishtinë, 25 janar 2017, NOA.al - Presidenti Kosovës, Hashim Thaçi, informoi lidhur me takimin e delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian të mbajtur në Bruksel.

Në një konferencë për mediat ditën e sotme, ai tha se situatat e krijuara pas një periudhe të gjatë të ndërprerjes së procesit të dialogut të nivelit të lartë politik ndërmjet dy shteteve, posaçërisht pas zhvillimeve të fundit të hidhura me veprime provokative dhe retorikë nacionaliste, kanë bërë që ky takimi të jetë mjaft i vështirë.

Por, përkundër këtij fakti, presidenti shtoi se “Ne jemi liderë shtetërorë dhe kemi përgjegjësi për të punuar me përkushtim për ruajtjen e paqes dhe normalisht, edhe përfundimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”.

Ai u shpreh i kënaqur që qëllimi kryesor i takimit, që ka qenë ulja e tensioneve dhe shmangia e provokimeve të panevojshme, është arritur, ndërsa shtoi se mbetet shumë që të punojmë për normalizimin e raporteve ndërshtetërore.

“Për ne ka qenë shumë e rëndësishme që të flasim hapur dhe të kërkojmë nga Serbia ndalimin e veprimeve që qëllim dhe rezultat kanë destabilizimin e situatës politike dhe të sigurisë në Kosovë”, deklaroi ai.

Ndër të tjera shtoi se më këtë fazë përfundimtare të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shpreson se me ndihmën e ndërmjetësueses të Federica Mogherini, do të mund të negociohet dhe të arrihet një marrëveshje politike përfundimtare të pajtimit dhe bashkëpunimit reciprok ndërmjet dy shteteve.

“Vetëm një marrëveshje e tillë është garanci për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, garanci për procesin e integrimit të papenguar të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, me theks të veçantë në BE dhe NATO. Prandaj, Kosova mbetet tërësisht e përkushtuar në këtë proces tepër të rëndësishëm dhe mbetet faktor determinues në favor të paqes, sigurisë dhe bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi ai./a.y/noa.al