Transmetuar më 25-01-2017, 10:53

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sapo përfundoi takimi i djeshëm Kosovë-Serbi në Bruksel ka thënë se në takim është kërkuar nga Bashkimi Europian që të jetë i qartë në raport me Serbinë, për mos lejimin e cënimit të territorit të Kosovës.

"Kemi potencuar se jemi për dialog, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin e shteteve përkatëse. Kemi bërë të qartë që do të respektojmë Kushtetutën dhe ligjet tona. Kosova ka zot shtëpie", ka theksuar Thaçi pas takimit.

Më tej në Ora e Fundit në Klan Kosova Thaçi ka theksuar se "Kemi potenciuar shumë qartë se e ardhmja e të dyja vendeve është e ardhmja europiane por jo me politikat e Millosheviçit nga ana e Serbisë.

“Është kërkuar që në asnjë rrethanë, Serbia të mos e përsërisë gabimin e trenit, kemi njoftuar qartë se Kosova nuk do t’i presë me lule mesazhet e tilla por do t’i përgjigjet me ligj e kushtetutë. Kemi diskutuar edhe për hapat e mëtejshëm të mundësisë së vazhdimit të dialogut dhe normalizimit të plotë të marrëdhënieve”, u shpreh Thaçi.

Ai ka thënë se në këtë takim mes palëve janë përmendur edhe fletëarrestet e Serbisë, që në bazë të njërit prej tyre edhe Ramush Haradinaj është ndaluar në Francë. "Kemi kërkuar nga BE që të bëjë presion më të fuqishëm në raport me Beogradin që ato fletëarreste të tërhiqen sepse Serbia nuk ka juridiksion mbi shtetin e Kosovës".