Transmetuar më 25-01-2017, 00:12

Udhëheqësit më të lartë të Kosovës dhe Serbisë, përfunduan një takim në Bruksel, në një përpjekje të Bashkimit Evropian për të ulur tensionet ndërmjet të dyja palëve.

Më 14 janar Kosova ndaloi hyrjen në territorin e saj të një treni të nisur nga Beogradi drejt Mitrovicës, me mbishkrimin "Kosova është Serbi" dhe me ikonografi kishtare mesjetare.

Zhvillimet rreth trenit nxitën luftë fjalësh të ashpra ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por edhe shqetësimet e diplomatëve për rritjen e tensioneve ndërmjet të dyja vendeve. Treni ishte kundërshtuar nga Kosova e cila atë e cilësoi si një provokim të sovranitetit të saj, ndërsa Beogradi akuzoi Kosovën për dërgimin e njësive të posaçme të policisë në veriun e banuar me shumicë serbe dhe sic u tha nxitjen e konfliktit.

Treni pasoi tensionet edhe ashtu të larta, pas ndalimit në Francë të ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga autoritetet serbe.

Situata bëri që shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini të thërras një takim të nivelit të lartë. Të dyja palët vendosën që, përveç kryeministrave, në takim të përfshihen edhe presidentët.

Takimi i sotëm nuk pritet të sjellë ndonjë vendim, por Bashkimi Evropian shpreson që t’i jap një shtytje uljes së tensioneve.

Zëdhënësja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiç, ritheksoi sot se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve është me rëndësi jo vetëm për to por edhe për komunitetin evropian. "Zhvillimet e ditëve të fundit theksojnë nevojën e përkushtimit dhe angazhimit më të madh të të dyja palëve në bisedime" tha ajo.

Bisedimet e sotme ndërmjet Kosovës dhe Serbinë u mbështetën edhe nga Komiteti për politikë të jashtme i Parlamentit Evropian, i cili debatoi për situatën në Ballkanin perëndimorë me theks të posaçëm në tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Treni ishte pjesë pothuajse e të gjitha diskutimeve në të cilat u nënvizua shqetësimi për shtimin e retorikës luftënxitëse në rajon. Nënkryetarja e parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, tha se duhet shmangur kërcënimet nacionaliste që i shkaktuan shumë luftëra Evropës gjatë shekullit të kaluar.

"Si mundeni ta zëmë me çështjen e trenit që u dërgua nga Serbia në Kosovë ditë më parë në të cilin thuhet "Kosova është Serbi" dhe ka brenda retorikë skajshmërisht nacionaliste. Kjo është diçka që thjeshtë nuk duhet të ndodhë dhe kjo ishte financuar nga qeveria e Serbisë", tha zonja Lunacek, duke shfaqur shpresën se bisedimet e sotme do të ndihmojnë tejkalimin e situatës.

Ndërsa euro-parlamentarja Tanja Fajon, tha se nuk mund të qëndrohet heshtur para asaj çfarë po ndodhë në Ballkan. Ajo u bëri thirrje udhëheqësve të Ballkanit që të përmbahen nga nxitja e ligjërimit nacionalist.

"Është shumë e rrezikshme dhe sjell në kujtesë luftërat e përgjakshme, urrejtjen dhe pasigurinë. Nuk duhet as në këtë vend të nxitet zjarri" tha zonja Fajon duke theksuar se "treni nxiti retorikë populiste, paralajmërime për dërgim trupash dhe përdorimin e retorikës tashmë të njohur mbi baza etnike ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Kjo është e papranueshme", tha ajo.

Takimi i sotëm është i pari pas një periudhë prej një viti në nivelin e lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe hera e dytë që presidentët e të dyja vendeve përfshihen në procesin e bisedimeve, pas takimit të shkurtit të vitit 2013 ndërmjet ish presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe presidentit serb, Tomislav Nikoliç.

Në prill të atij vitit Kosova dhe Serbia arritën e marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve që përfshinte një gamë çështjesh, pas të cilave bisedimet kryesisht u zhvilluan për rrugët e zbatimit të saj.